Britania heq dorë nga sovraniteti mbi Ishujt Çagos, bën pakt me një shtet
Britania tha të enjten se do të heqë dorë nga sovraniteti mbi Ishujt Çagos, duke ua dhënë ata Mauritiusit në një marrëveshje që do ta mundësojë kthimin e personave të zhvendosur para disa dekadave, përderisa Londra do ta mbajë bazën ushtarake britaniko-amerikane në Diego Garcia.
Mbretëria e Bashkuar tha se operimi i bazës në ishullin Diego Garcia, bazë ushtarake strategjike me operim të përbashkët me Shtetet e Bashkuara, mbrohet me marrëveshjen e re, që gjithashtu ia lejon Mauritiusit risistemimin në pjesën tjetër të ishujve, pasi popullsia ishte zhvendosur, raporton agjencia “Reuters”.
“Kjo qeveri trashëgoi një situatë ku operimi afatgjatë dhe i sigurt i bazës ushtarake Diego Garcia ishte në rrezik, me sovranitet të kontestuar dhe sfida të vazhdueshme ligjore” – tha në një deklaratë sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.
“Marrëveshja e sotme e siguron këtë bazë ushtarake jetike për të ardhmen. Ajo do ta fuqizojë rolin tonë në garantimin e sigurisë globale, do të ndërpresë çdo mundësi që Oqeani Indian të përdoret si rrugë e rrezikshme dhe e paligjshme e migrimit drejt Britanisë si dhe do ta garantojë marrëdhënien tonë afatgjatë me Mauritiusin” – shtoi kryediplomati britanik.
Britania, që e ka kontrolluar rajonin që nga viti 1814, më 1965 i kishte shkëputur Ishujt Çagos nga Mauritiuesi, ish-koloni që ishte bërë e pavarur tre vjet më vonë, për ta themeluar Territorin Britanik të Oqeanit Paqësor.
Në të shtatëdhjetat e hershme, Britania kishte larguar gati dy mijë banorë dhe i kishte dërguar në Mauritius dhe Seychelles për të siguruar hapësirë për një bazë ajrore në ishullin më të madh, Diego Garcia, që ia kishte lëshuar me qira ShBA-së më 1966.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2019 kishte thënë se Britania duhej të hiqte dorë nga kontrollimi i ishujve dhe se ky shtet në mënyrë të gabuar e kishte detyruar popullsinë që të largohej në vitet e shtatëdhjeta për ta siguruar hapësirën për ndërtimin e një baze ajrore amerikane.
Në një deklaratë të përbashkët, Britania dhe Mauritiusi thanë se marrëveshja politike e kishte përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe Indisë./Nacionale