Britania, Franca e Gjermania paralajmërojnë kundër udhëtimeve në Izrael - NACIONALE

Britania, Franca e Gjermania paralajmërojnë kundër udhëtimeve në Izrael

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Britani, Franca, Gjermania dhe Polonia të premten paralajmëruan kundër udhëtimeve joesenciale drejt Izraelit dhe Bregut Perëndimor, duke iu bashkuar shumë shteteve, përfshirë ShBA-në dhe Kinën, që kanë lëshuar vërejtje të tilla kundër udhëtimeve në rajon në kohën e rritjes së tensioneve me Iranin.

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se e ka tërhequr përkohësisht stafin e Ambasadës së saj nga Irani dhe se puna e këtij institucioni do të realizohej nga largësia, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Zyra e Jashtme tha gjithashtu se e ka zhvendosur stafin diplomatik në Izrael dhe vartësit e tyre nga Tel-Avivi në një pjesë tjetër të këtij shteti, pa ia përmendur emrin. Ambasada në Izrael po operonte si zakonisht, por situata “mund të eskalojë shpejt dhe paraqet rreziqe të konsiderueshme” – tha Zyra e Jashtme.

Ministria e Jashtme e Francës gjithashtu ua përsëriti këshillën e saj shtetasve francezë për të hequr dorë nga udhëtimet në Izrael dhe në Bregun Perëndimor, ndërsa atyre që tashmë ndodhen atje u rekomandoi vigjilencë, të identifikojnë strehimore dhe të qëndrojnë larg tubimeve publike.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë, e cila tashmë i ka paralajmëruar shtetasit gjermanë kundër udhëtimit në Iran, tha në një udhëzim në uebfaqen e vet të premten se “udhëtimi në Izrael dhe në Jerusalemin Lindor është urgjentisht i dekurajuar”.

Ministria e Jashtme e Polonisë u bëri thirrje shtetasve të saj që menjëherë të largohen nga Izraeli, Irani dhe Libani.

“Situata e sigurisë në Lindjen e Mesme është jostabile. Rreziku i përshkallëzimit është i lartë! Hapësira ajrore për trafik civil mund të mbyllet. Kthimi përmes ajrit mund të jetë i pamundur ose i penguar në masë të konsiderueshme” – tha kjo ministri në rrjetin X./Nacionale

Lajme të ngjashme