Britania duhet ta sanksionojë Izraelin për t’i përmbushur detyrimet ligjore, thonë mbi 800 juristë
Mbretëria e Bashkuar duhet t’u vendosë sanksione Qeverisë së Izraelit dhe ministrave të saj si dhe duhet ta shqyrtojë pezullimin e këtij vendi nga OKB-ja për t’i përmbushur “detyrimet themelore ligjore ndërkombëtare”, sipas më shumë se 800 avokatëve, akademikëve e ish-gjykatësve të lartë të dalë në pension, përfshirë ish-gjykatës të Gjykatës Supreme.
Në një letër dërguar kryeministrit britanik, ata e mirëpritën deklaratën e përbashkët të Keir Starmerit javën e kaluar me udhëheqësit e Francës dhe Kanadasë, në të cilën paralajmëruan se janë të përgatitur për të ndërmarrë “veprime konkrete” kundër Izraelit, raporton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, juristët i bënë thirrje kryeministrit Starmer që të veprojë pa vonesë, pasi “veprim urgjent dhe vendimtar kërkohet për ta shmangur shkatërrimin e popullit palestinez të Gazës”.
Nënshkruesit e letrës, përfshirë ish-gjykatësit e Gjykatës Supreme, Lord Sumption dhe Lord Wilson, thonë se në Palestinë janë duke u kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe shkelje serioze të së drejtës humanitare ndërkombëtare.
Më tej, në letër thuhet se ka gjithnjë më shumë dëshmi për gjenocid, i cili ose është duke u kryer, ose të paktën ka rrezik serioz se do të ndodhë. Aty vihet në pah deklarata e ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili rishtazi tha se ushtria izraelite do ta “zhdukë” atë që mbetet në Gazën palestineze.
Nënshkruesit kryeministrit britanik i thanë: “Të gjitha shtetet, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë ligjërisht të detyruara që t’i ndërmarrin të gjithë hapat e arsyeshëm brenda kompetencave të tyre për ta parandaluar dhe ndëshkuar gjenocidin; për ta siguruar respektimin e së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe për t’u dhënë fund shkeljeve [të së drejtës për vetëvendosje].”
“Veprimet e Britanisë deri më tani kanë dështuar që t’i përmbushin këto kërkesa… Dështimi i komunitetit ndërkombëtar për ta mbrojtur të drejtën ndërkombëtare në lidhje me territorin e pushtuar palestinez kontribuon në një klimë të përkeqësuar ndërkombëtare të paligjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë dhe e rrezikon vetë sistemin ligjor ndërkombëtar. Qeveria juaj duhet të veprojë tani, para se të bëhet shumë vonë” – paralajmëruan juristët e akademikët në letrën e tyre.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, javën e kaluar njoftoi për pezullimin e bisedimeve për tregti të lirë me Izraelin, por juristët thanë në letër se ai duhet të shkojë më larg e më shpejt duke i rishikuar lidhjet tregtare ekzistuese e duke vendosur sanksione tregtare./Nacionale