Britania do të dërgojë qindra trupa në Qipro, pret evakuim masiv nga Libani
Britania do të dërgojë trupa në Qipro për t’i ndihmuar shtetasit e saj që të largohen nga Libani, përderisa kryeministri britanik, Keir Starmer, paralajmëroi se eskalimi i luftimeve mes Izraelit e Hezbollahut po e shtyn rajonin drejt humnerës.
Qeveria britanike than ë një deklaratë të lëshuar të martën vonë se 700 trupa do të udhëtojnë në Qipro, duke e përforcuar praninë e vet në zonën ku tashmë ka dy anije të forcave detare, aeroplanë e helikopterë transportues, raporton agjencia “Reuters”.
“Ngjarjet në orët dhe ditët e fundit kanë dëshmuar se sa e brishtë është kjo situatë, prandaj porosia jonë është e qartë, shtetasit britanikë duhet të largohen tani” – tha sekretari i Mbrojtjes, John Healey.
“Qeveria jonë po sigurohet që të gjitha përgatitjet të jenë në fuqi për t’i mbështetur shtetasit britanikë, nëse situata përkeqësohet” – shtoi ai.
Luftimet e ashpra të kësaj jave mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani e kanë shtuar frikën se konflikti gati njëvjeçar do të shpërthejë dhe do ta destabilizojë Lindjen e Mesme, ku një luftë mes Hamasit e Izraelit tashmë po vazhdon në Gaza.
Kryeministri Starmer tha se ishte shumë i shqetësuar që rajoni po del jashtë kontrollit.
“Të gjitha palët duhet të tërhiqen nga humnera. Unë qartazi do të shkoj në Nju-Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të folur me kolegë e aleatë, por porosia ime do të jetë pak a shumë armëpushimi. Tërhiquni nga humnera. De-eskalojeni situatën” – deklaroi ai.
Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad, ka thënë se nga ofensiva izraelite prej të hënës në mëngjes janë vrarë 569 njerëz, përfshirë 50 fëmijë, ndërsa 1.835 të tjerë janë lënduar.