Britania dhe Franca thërrasin mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për Gazën - NACIONALE

Britania dhe Franca thërrasin mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për Gazën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Britania dhe Franca kanë thirrur mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta diskutuar situatën humanitare në Gaza, ndërsa Mbretëria e Bashkuar gjithashtu është duke e shqyrtuar vendosjen e sanksioneve ndaj dy ministrave izraelitë, tha të mërkurën kryeministri britanik, Keir Starmer.

Agjencia “Reuters” raportoi më herët këtë muaj se furnizimet me ushqim kishin shënuar rënie të ndjeshme në javët e fundit, pasi autoritetet izraelite kishin vendosur një rregull të re në doganë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se situata duhet të përmirësohet ose Izraeli mund të ballafaqohet me kufizim të ndihmave ushtarake amerikane, raporton kjo agjenci.

“Ne jemi duke bërë vazhdimisht përfaqësime për këtë me partnerët tanë. Është një nevojë urgjente dhe ka qenë tashmë për një kohë shumë të gjatë për hyrje të më shumë ndihmave në Gaza” – tha kryeministri Starmer para deputetëve britanikë.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, tha në një deklaratë se Izraeli duhet të sigurohet që civilët janë të mbrojtur dhe që rrugët të jenë të hapura për ta lejuar hyrjen e ndihmës jetëshpëtuese dhe se takimi i Kombeve të Bashkuara do t’i adresojë këto çështje. Ai tha se edhe Algjeria i është bashkuar thirrjes për takim urgjent.

Kryeministri britanik gjithashtu tha se vendi i tij ishte duke e shqyrtuar vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, dhe ministrit izraelit për Siguri Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për shkak të komenteve që ata i kanë bërë rreth konfliktit.

“Izraeli duhet t’i bëjë të gjithë hapat e mundshëm për t’i shmangur viktimat civile, për ta lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza në vëllim shumë më të madh dhe t’u ofrojë partnerëve humanitarë të OKB-së mundësi për të operuar në mënyrë efikase” – tha ai.

“Bashkë me Francën, Mbretëria e Bashkuar do të thërrasë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta adresuar këtë” – njoftoi majtisti Starmer.

Lajme të ngjashme