“Brain rot”: Ç’kuptim ka fjala e vitit 2024, e zgjedhur nga Oksfordi? - NACIONALE

“Brain rot”: Ç’kuptim ka fjala e vitit 2024, e zgjedhur nga Oksfordi?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Togfjalëshi “brain rot” (shqip: “kalbje truri”) është zgjedhur si fjala e vitit 2024 nga Oksfordi, në kohën e shqetësimeve për përdorimin e pakufizuar të rrjeteve sociale dhe përmbajtjen që e mpin mendjen.

Më shumë se 37 mijë njerëz votuan për të ndihmuar në zgjedhjen e fjalës fituese nga një listë prej gjashtë fjalësh, e përpiluar nga “Oxford University Press”, botues i fjalorit të njohur të gjuhës angleze, “Oxford English Dictionary”, raporton gazeta “The Guardian”.

Qëllimi i çmimit vjetor, të cilin në të kaluarën e kanë marrë fjalët si “rizz” (karizëm) dhe “emergjenca klimatike”, është që t’i pasqyrojë disponimet dhe trendet e vitit.

Togfjalëshi “brain rot” përkufizohet si “përkeqësim i supozuar i gjendjes mendore ose intelektuale të një personi, sidomos i parë si rezultat i tejkonsumimit të materialeve (tani posaçërisht materialeve në internet) që konsiderohen si me vlerë të ulët ose josfiduese”.

Botuesi tha se termi “fitoi peshë më 2024 si term i përdorur për të përshkruar shqetësime rreth ndikimit të konsumimit të sasisë së tepërt të përmbajtjes me cilësi të ulët në internet, sidomos në rrjete sociale”.

Pavarësisht nga ngritja e saj rishtazi, përdorimi i parë i regjistruar i kësaj fjale daton në vitin e largët, 1854, më saktësisht në librin e amerikanit David Thoreau, “Walden”.

Casper Grathwohl, kryetar i gjuhëve në Oksford, tha: “Brain rot flet për njërin nga rreziqet e perceptuara të jetës virtuale dhe se si po e përdorim ne kohën tonë të lirë. Duket si kapitull i ardhshëm i duhur në bisedën kulturore për njerëzimin dhe teknologjinë. Nuk është befasi që aq shumë votues e zgjodhën termin, duke e përkrahur si zgjedhjen tonë të vitit.”

Lajme të ngjashme