Borrelli e propozon pezullimin e dialogut të BE-së me Izraelin - NACIONALE

Borrelli e propozon pezullimin e dialogut të BE-së me Izraelin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka propozuar që blloku ta pezullojë dialogun politik me Izraelin, duke cituar shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut në luftën e Gazës, sipas katër diplomatëve dhe një letre që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në letrën dërguar të mërkurën ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së para takimit të tyre të hënën, Borrelli përmendi “shqetësime serioze për shkelje të mundshme të së drejtës humanitare ndërkombëtare në Gaza” dhe tha se “deri më tani, këto shqetësime nuk janë adresuar mjaftueshëm nga Izraeli”, raporton agjencia “Reuters”.

Dialogu politik është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Izraelit, përfshirë lidhjet e gjera të tregtisë, që ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2000.

“Pas shqyrtimeve të mësipërme, unë do të paraqes në tavolinë një propozim që BE-ja duhet ta aktivizojë klauzolën për të drejtat e njeriut për ta pezulluar dialogun politik me Izraelin” – shkroi kryediplomati evropian.

Pezullimi i dialogut do të bëhej me miratimin e të gjitha 27 shteteve anëtare dhe diplomatët thanë se kjo gjë është pak e mundshme. Shumë shtete u ankuan, kur një zyrtar i lartë i BE-së i njoftoi ambasadorët në Bruksel të mërkurën për propozimin, thanë tre diplomatë, të cilët folën në kushte anonimiteti.

Qëllimi i propozimit të Borrellit është që të dërgohet një sinjal i fuqishëm i shqetësimit për sjelljen e Izraelit në luftë, tha një diplomat.

Propozimi do të diskutohet në takimin e ministrave të jashtëm, që do të jetë i fundit që do të drejtohet nga Borrelli para se t’i përfundojë mandati 5-vjeçar.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha javën e kaluar se gati 70 për qind e rasteve fatale që i ka vërtetuar në luftë ishin gra dhe fëmijë dhe e dënoi atë që e quajti shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Izraeli ka thënë se e refuzon kategorikisht raportin./Nacionale

Lajme të ngjashme