Borrelli e kritikon Izraelin: Uria po përdoret si armë lufte në Gaza
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e ka kritikuar mungesën e hyrjes së ndihmave në Gaza, duke e quajtur fatkeqësi “të bërë nga njeriu”. Ai tha të martën në Këshill të Sigurimit të OKB-së se uria po përdoret si “armë lufte”.
“Kjo krizë humanitare… nuk është fatkeqësi natyrore, nuk është vërshim, nuk është tërmet, është e bërë nga njeriu” – tha kryediplomati evropian në selinë qendrore të OKB-së në Nju-Jork, raporton gazeta “The Guardian”.
Zyrtari i lartë e ka kritikuar vazhdimisht Izraelin për sjelljen e këtij shteti gjatë luftës në Gaza, ku raportohet për mbi 31 mijë njerëz të vrarë, shumica gra e fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që menaxhohet nga Hamasi.
Përderisa niveli i ndihmave që po hyjnë në Gazë është dukshëm më i ulët se para luftës dhe agjencitë e ndihmave po paralajmërojnë për rrezikun e vdekjes nga uria, qeveri të huaja kanë vendosur që të hedhin ndihma nga ajri dhe gjithashtu po mundohet që të hapin një korridor detar drejt Gazës.
“Kur shikojmë për rrugë alternative për ofrim të përkrahjes, përmes detit ose përmes ajrit, ne duhet të sjellim ndër mend që ne duhet ta bëjmë këtë, sepse mënyra e natyrshme e ofrimit të përkrahjes përmes rrugëve po mbyllet, po mbyllet artificialisht” – tha më tej Borrelli.
“Vdekja nga uria po përdoret si armë lufte” – shtoi ai, duke thënë se “kur ne e dënojmë këtë kur ndodh në Ukrainë, ne duhet t’i përdorim të njëjtat fjalë për atë që po ndodh në Gaza”.