“Boeing”-u u thotë pilotëve që t’i kontrollojnë ulëset pas incidentit në "Latam Airlines" - NACIONALE

“Boeing”-u u thotë pilotëve që t’i kontrollojnë ulëset pas incidentit në "Latam Airlines"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prodhuesi i aeroplanëve “Boeing” u ka thënë kompanive ajrore që operojnë me aeroplanë të tipit “787 Dreamliner” se pilotët duhet t’i kontrollojnë ulëset e tyre, përderisa po vazhdon hetimi për incidentin gjatë një fluturimi të kompanisë “Latam Airlines”.

Ky udhëzim vjen pasi 50 persona u lënduan këtë javë, kur një aeroplan i llojit 787 e humbi lartësinë papritmas gjatë një fluturimi të kompanisë “Latam Airlines”, raporton televizioni BBC.

Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se një stjuardesë aksidentalisht kishte goditur një pullë në ulësen e pilotit, e cila e kishte shtyrë pilotin drejt tabelës së kontrollit, duke e ulur teposhtë “hundën” e aeroplanit.

Kompania “Latam Airlines” është duke e mbështetur hetimin.

Gjatë incidentit, pasagjerët u hodhën dhe u përplasën për tavani të aeroplanit që po udhëtonte nga Australia për në Zelandë të Re.

Pasagjeri Brian Jokat ka thënë se një numër njerëzish pësuan lëndime në kokë. Ai i tha BBC-së se njerëzit e kishin goditur tavanin me aq forcë, saqë “disa nga panelet e tavanit u thyen”.

Sipas Jokatit, personi që ishte ulur pranë tij dukej “si i ngjitur me ngjitës në tavan”. “Për një gjysmë sekonde mendova: kaq ishte” – tha ai.

Shërbimet emergjente thanë më vonë se një person ishte në gjendje kritike.

Prodhuesi “Boeing” tha: “Hetimi i Fluturimit LA800 është duke vazhduar dhe ne u nënshtrohemi autoriteteve hetuese për çfarëdo gjetjeje potenciale.”

“Ne kemi marrë masa paraprake për t’u rikujtuar operatorëve të [aeroplanëve] 787 një buletin shërbimi të lëshuar më 2017, i cili përfshinte udhëzime për inspektimin dhe mirëmbajtjen e pullave në ulëset e kabinës së fluturimit” - thuhet më tej.

Kompania kiliano-braziliane “Latam Airlines” tha se “vazhdon që të punojë në bashkërendim me autoritetet me qëllim të mbështetjes së hetimit të vazhdueshëm”.

Lajme të ngjashme