“Bloomberg”: ShBA-ja ka kërkuar nga Serbia që të pranojë persona të dëbuar
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke shtyrë Serbinë dhe vende të tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, sipas personave të afërt me çështjen, raporton të enjten mediumi “Bloomberg”.
Kërkesat për shtetet e rajonit janë duke u zhvilluar dhe janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të gjetur qeveri të huaja që janë të gatshme të pranojnë emigrantë nga ShBA-ja, përfshirë disa që kishin hyrë në periudhën e masave mbrojtëse të ish-presidentit Joe Biden, sipas burimeve, të cilat kërkuan të mbeteshin anonimë për shkak se bisedimet ishin private.
Gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, në prill kishte raportuar se ShBA-ja kishte eksploruar mundësi për të dërguar të dëbuar në vende të tjera të Evropës, përfshirë Kosovën dhe Moldavinë, si dhe në vende të tjera përreth botës.
Djali i madh i Trumpit e ka vizituar Serbinë disa herë dhe emisarit të posaçëm të tij, Richard Grenell, i është dhënë nderi më i lartë civil në Serbi.
Në vizitën e tij të fundit në fund të prillit, Trump Jr. hëngri darkë me Vuçiqin si pjesë e një udhëtimi nëpër kryeqytete të Evropës Lindore me qëllim të identifikimit të mundësive për biznes në rolin e nëndrejtorit të Organizatës Trump.
Në maj, Vuçiqi kishte shpresuar për takim me Trumpin në Florida, por ishte sëmurë gjatë vizitës në ShBA dhe u detyra ta ndërpriste atë më herët. Disa ditë më vonë, presidenti serb mori pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë pavarësisht nga paralajmërimet kundër këtij veprimi nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Marrëveshjet për të pranuar emigrantë të dëbuar nuk janë pa precedent në rajon. Një pakt i ngjashëm është bërë mes Italisë dhe Shqipërisë, pasi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e bindi homologun Edi Rama që ta pranonte në vendin e tij ndërtimin e qendrave për emigrantë që janë penguar gjatë përpjekjeve të tyre për të arritur në Evropë përmes detit nga Afrika. Italia paguan për funksionimin e qendrave./Nacionale