Bllokohet nga gjykata vendimi i Trumpit për ndalimin e studentëve të huaj të Harvardit
Një gjykatëse federale në Boston të enjten përkohësisht ia pamundësoi presidentit amerikan, Donald Trump, që t’ua ndalojë hyrjen në ShBA shtetasve të hauj që duan të studiojnë ose të marrin pjesë në programe shkëmbimi në Universitetin e Harvardit.
Me një urdhër dyfaqësh të masës së përkohshme kufizuese që iu dhurua Harvardit, gjykatësja e Qarkut, Allison Burroughs, e parandaloi hyrjen në fuqi të urdhrit të Truimpit në pritje të shqyrtimit të mëtejmë të çështjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjykatësja vendosi se udhëzimi i Trumpit për t’ua ndaluar shtetasve të huaj hyrjen në Shtetet e Bashkuara për të studiuar në Harvard gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të shkaktonte “lëndim të menjëhershëm e të pariparueshëm” para se gjykatat ta kenë mundësinë që ta shqyrtojnë rastin.
E njëjta gjykatëse muajin e kaluar e kishte bllokuar zbatimin e një urdhri tjetër të Trumpit, me të cilin Universitetit të Harvardit i ndalohej regjistrimi i studentëve të huaj, të cilët përbëjnë më shumë se një të katërtën e të gjithë studentëve të institucionit të famshëm të arsimit universitar.
Më herët të enjten, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, e quajti Universitetin e Harvardit “qendër të agjitatorëve antiamerikanë, antisemitë dhe proterroristë”, pretendime që institucioni arsimor më parë i ka mohuar.
“Sjellja e Harvardit e ka rrezikuar integritetin e tërë sistemit të vizave për student dhe shkëmbime dhe rrezikon që ta komprometojë sigurinë kombëtare. Tani, ai duhet të ballafaqohet me pasojat e veprimeve të veta” – tha zonja Jackson në një deklaratë.
Universiteti i Harvardit thotë se administrata e Trumpit po hakmerret për shkak të refuzimit që t’i plotësohen kërkesat për ta kontrolluar qeverisjen e institucionit, kurikulën dhe ideologjinë e fakulteteve dhe studentëve./Nacionale