Blinkeni thotë se zotimet amerikane të sigurisë për Filipinet janë të hekurta
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i ka risiguruar Filipinet, aleate kyçe të Uashingtonit, për përkrahjen amerikane në kohën e tensioneve të ngritura me Kinën.
Kryediplomati i ritheksoi zotimet “e hekurta” të sigurisë të Amerikës për Filipinet gjatë një vizite në Manila të martën, raporton televizioni BBC.
Fërkimet janë shtuar mes Manilës dhe Pekinit muajve të fundit rreth pretendimeve që bien ndesh me njëra-tjetrën në Detin Jugor të Kinës.
“Këto rrugë ujore janë kritike për Filipinet, për sigurinë e tyre, për ekonominë e tyre” – tha Blinkeni.
“Ato janë gjithashtu kritike për interesat e rajonit, Shteteve të Bashkuara dhe botës” – shtoi ai, duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun filipinas, Enrique Manalo.
“Prandaj ne qëndrojmë me Filipinet dhe qëndrojmë prapa zotimeve tona të hekurta të mbrojtjes, përfshirë ato që janë nën traktatin e përbashkët të mbrojtjes” –tha më tej zyrtari i lartë amerikan.
Blinkeni do të diskutojë edhe për tregtinë me zyrtarë filipinas, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Vizita e tij me gjasë do të shihet edhe si fuqizim i mbështetjes amerikane për presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr, i cili ka anuar nga Uashingtoni, ndryshe nga paraardhësi i tij, Rodrigo Duterte, i cili i kishte çuar përpara lidhjet me Pekinin.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se presidenti Joe Biden do të zhvillojë një samit në prill me Marcosin dhe me kryeministrin japonez, Fumio Kishida.
Filipinet mbeten qendër kyçe strategjike për Shtetet e Bashkuara, sidomos për shkak të pozicionit të këtij shteti në një rajon që po ka zhvillime, ku Kina ka dalë si rivale e fuqisë dhe ndikimit amerikan.