Blinkeni thotë se po ngushtohen dallimet mes Izraelit e Hamasit për armëpushim - NACIONALE

Blinkeni thotë se po ngushtohen dallimet mes Izraelit e Hamasit për armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të mërkurën se “dallimet po ngushtohen” mes Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim më të gjatë dhe lirim të pengjeve, përderisa kryediplomati amerikan e nisi vizitën e tij të gjashtë në Lindje të Mesme nga 7 tetori.

“Dallimet janë duke u ngushtuar dhe mendoj se një marrëveshje është shumë e mundshme” – tha Blinkeni në televizionin saudit “al-Hadath” në Jeddah, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Shtetet e Bashkuara kishin shpresuar që të siguronin një armëpushim 6-javor dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve me nisjen e Ramazanit, por bisedimet e vazhdueshme ende nuk kanë sjellë rezultat. Uashingtoni e ka fajësuar kryesisht Hamasin për këtë ngërç.

“Ne punuam shumë me Katarin, Egjiptin dhe Izraelin për të vendosur një propozim të fortë në tavolinë... Hamasi nuk e pranoi këtë. Ata u kthyen me kërkesa të tjera. Negociatorët janë duke punuar për këtë tash për tash, por unë mendoj se është shumë e realizueshme dhe është shumë e nevojshme” – tha Blinkeni.

“Nëse Hamasi mërzitet sado pak për njerëzit që pretendon se i përfaqëson, atëherë do të arrinte një marrëveshje, sepse kjo do ta kishte efektin e menjëhershëm të një armëpushimi, duke e lehtësuar vuajtjen e pamasë të njerëzve, duke sjellë më shumë asistencë humanitare dhe pastaj duke na e dhënë mundësinë që të kemi diçka më të qëndrueshme” – shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha të hënën se ishte shumë herët për të treguar nëse palët janë afër një marrëveshjeje.

David Barnea, drejtor i agjencisë izraelite të inteligjencës “Mossad”, qëndroi për disa orë në Doha për bisedime të hënën para se të kthehej në Izrael për ta njoftuar kabinetit qeveritar rreth përparimit.

Shtytja e re për armëpushim vjen pas propozimit të fundit nga Hamasi për një armëpushim 6-javor, më shumë ndihma në Gaza dhe lirim fillestar të rreth 40 pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të disa të burgosurve palestinezë që po mbahen në Izrael.

Lajme të ngjashme