Blinkeni më i qartë se kurrë: Sulmi në Rafah do të ishte gabim e i panevojshëm, s’e përkrahim
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të enjten se një sulm i gjerë izraelit ndaj qytetit jugor të Gazës, Rafah, do të ishte “gabim” dhe “i panevojshëm” për ta mposhtur Hamasin, duke e theksuar tensionimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Blinkeni, gjatë vizitës së tij të gjashtë urgjente në Lindje të Mesme që nga fillimi i luftës në tetor, foli pas takimeve me diplomatë të lartë arabë në Kajro për diskutime rreth përpjekjeve për një armëpushim dhe për të ardhmen e Gazës pas luftës. Ai tha se një “armëpushim i menjëhershëm, i qëndrueshëm”, me lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi, nevojitet urgjentisht dhe se po ngushtoheshin dallimet në bisedimet e tërthorta në të cilat ShBA-ja, Egjipti dhe Katari kanë ndërmjetësuar me javë. Këto bisedime pritet të vazhdojnë të premten në nivel të lartë në Katar, raporton agjencia “Associated Press”.
“Një operacion i madh ushtarak në Rafah do të ishte gabim, diçka që ne nuk e përkrahim dhe gjithashtu nuk është i nevojshëm për t’u marrë me Hamasin, që është e nevojshme” – tha Blinkeni në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun egjiptian, Sameh Shoukry. Sipas amerikanit, një ofensivë e madhe do të nënkuptonte më shumë vdekje të civilëve dhe do ta përkeqësonte krizën humanitare në Gaza.
Kryediplomati amerikan të premten shkoi në Izrael, ku u takua me kryeministrin e këtij shteti, Benjamin Netanyahu, dhe me kabinetin e tij të luftës. Mosmarrëveshjet në rritje mes Netanyahut dhe presidentit Joe Biden rreth zhvillimit të luftës me gjasë do të qëndrojnë si hije mbi bisedën në këtë takim – sidomos për vendosmërinë e Netanyahut për të nisur një sulm tokësor në Rafah, ku më shumë se një milion refugjatë palestinezë kanë kërkuar strehim mga sulmet shkatërruese izraelite përmes tokës e ajrit në pjesët më veriore të enklavës.
Netanyahu ka thënë se pa një hyrje të ushtrisë në Rafah, Izraeli nuk mund ta arrijë qëllimin për shkatërrimin e Hamasit pas sulmit vdekjeprurës të këtij grupi më 7 tetor dhe marrjes së pengjeve që i nxitën bombarimin dhe ofensivën izraelite në Gaza.
Pozicioni i Shteteve të Bashkuara për operacionin izraelit në Rafah ka ndryshuar në masë domethënëse ditëve të fundit. Fillimisht, zyrtarët amerikanë kishin thënë se nuk do të përkrahnin një pushtim të gjerë në qytet pa pasur një plan të qartë e të besueshëm për t’i larguar civilët nga rreziku i lëndimit. Tani, zyrtarët amerikanë thonë se kanë konkluduar se nuk ka ndonjë mënyrë të besueshme për ta bërë këtë, duke e marrë parasysh dendësinë e popullsisë prej më shumë se një milion njerëzish.