Blinkeni e paralajmëron Izraelin për izolim global, nëse zhvillohet sulmi në Rafah - NACIONALE

Blinkeni e paralajmëron Izraelin për izolim global, nëse zhvillohet sulmi në Rafah

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, e paralajmëroi të premten kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se Izraeli rrezikon që të izolohet më tutje në rrafshin global, nëse e sulmon qytetin Rafah të Gazës.

Kryediplomati amerikan u takua sy më sy me Netanyahun gjatë një misioni të paqes në Lindje të Mesme në kohën e marrëdhënieve të tensionuara për shkak të sulmit izraelit në Gazën e qeverisur nga Hamasi, që ka lënë të vrarë rreth 32 mijë palestinezë dhe ekziston frikë se shumë të tjerë janë nën rrënoja, thonë autoritetet shëndetësore në Gaza.

“Ne e ndajmë qëllimin e Izraelit për mposhtjen e Hamasit... ndonëse një operacion i madh ushtarak tokësor në Rafah nuk është mënyra për ta bërë këtë” – u tha Blinkeni gazetarëve në Tel Aviv, raporton agjencia "Reuters".

“Ai [sulmi] rrezikon që të vrasë më shumë civilë, rrezikon që të bëjë kërdi më të madhe për ofrimin e asistencës humanitare, rrezikon izolim të mëtejmë të Izraelit përreth botës dhe rrezikim të sigurisë dhe pozicionit afatgjatë të tij” – shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Netanyahu tha më herët se Izraeli do ta kryente sulmin vetëm, nëse Uashingtoni vazhdon që t’i kundërshtojë planet për të hyrë ushtarakisht në Rafah, ku mbi një milionë njerëz janë strehuar në strehimore të improvizuara.

Kryeministri izraelit tha se i ka thënë Blinkenit që e vlerëson përkrahjen e ShBA-së në luftën e vendit të tij kundër Hamasit dhe se Izraeli e pranon që duhet t’i mbrojë civilët.

“Unë gjithashtu thashë se nuk kemi mënyrë për ta mposhtur Hamasin pa hyrë në Rafah dhe pa e eliminuar pjesën tjetër të batalioneve atje dhe i thashë atij se unë shpresoj që ne do ta bëjmë këtë me përkrahjen e ShBA-së, por nëse detyrohemi – do ta bëjmë vetëm” – tha Netanyahu në një video-deklaratë për reporterë.

Izraeli thotë se qyteti Rafah është bastioni i fundit për militantët e Hamasit dhe se ka një plan për evakuimin e civilëve para sulmit, edhe pse atë nuk e ka paraqitur publikisht dhe as nuk e ka ndarë me Uashingtonin, që e ka aleat të ngushtë.

Shtetet e Bashkuara thonë se një sulm në Rafah do të ishte gabim dhe do t’u shkaktonte më shumë lëndim personave të zhvendosur atje.

Zyrtarë të lartë izraelitë e amerikanë pritet të takohen në Uashington javën e ardhshme, kur ShBA-ja do t’u paraqesë izraelitëve mënyra alternative për ta ndjekur Hamasin pa kryer sulm të plotë në Rafah.

Lajme të ngjashme