Blinkeni bën thirrje për kundërpërgjigje të matur izraelite ndaj sulmit iranian - NACIONALE

Blinkeni bën thirrje për kundërpërgjigje të matur izraelite ndaj sulmit iranian

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, të mërkurën tha se kundërpërgjigjja e Izraelit ndaj sulmit iranian me raketa më 1 tetor nuk duhet të çojë te një eskalim më i madh, përderisa bëri shtytje për armëpushim në Gaza dhe përfundim të luftimeve në Liban.

Në Liban, ushtria izraelite tha se kishte vrarë tre komandantë e rreth 70 luftëtarë të Hezbollahut gjatë 24 orëve të kaluara, një ditë pasi konfirmoi se e kishte vrarë Hashem Safieddine-n, që thuhej se mund të bëhej udhëheqës i ardhshëm i grupit. Izraeli urdhëroi më shumë libanezë që të largoheshin nga qyteti Tyre, raporton agjencia “Reuters”.

Kryediplomati amerikan, që zhvilloi bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në vendndalimin e parë gjatë vizitës rajonale, tha se është koha që Izraeli t’i kapitalizojë fitoret e veta ushtarake.

“Tani është koha që ato suksese të shndërrohen në një sukses të qëndrueshëm strategjik” – tha ai para gazetarëve, përderisa po përgatitej për t’u nisur drejt Arabisë Saudite. “Fokusi duhet të jetë te kthimi i pengjeve në shtëpi, përfundimi i kësaj lufte dhe pasja e një plani të qartë për atë që pason” – shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Blinkeni po e bën shtytjen e tij të parë të madhe për armëpushime në Gaza dhe Liban që nga vrasja e kreut të Hamasit nga Izraeli javën e kaluar – dhe të fundit para zgjedhjeve presidenciale në ShBA, që mund ta përmbysin politikën amerikane në rajon.

Uashingtoni e sheh vdekjen e kreut të Hamasit, Yahya Sinwar, si mundësi për shtytje për paqe, pasi tani do të ishte më lehtë për Netanyahun që të argumentonte se në Gaza janë arritur qëllimet e mëdha.

Sekretari amerikan tha se janë duke u ekzaminuar formulime të reja në përpjekje për ta siguruar lirinë e pengjeve që po mbahen në Gaza dhe për t’i dhënë fund luftës.

Lajme të ngjashme