Blerja e plumbave nga Izraeli e trazon koalicionin qeveritar të Spanjës
Një vendim i Qeverisë socialiste të Spanjës që të mos e mbajë premtimin për anulimin e një kontrate për blerjen e plumbave nga një kompani izraelite nxiti qortime të mërkurën nga partnerët e koalicionit. Disa aleatë madje kërcënuan me tërheqje të mbështetjes.
Qeveria e pakicës e kryeministrit Pedro Sanchez është ballafaquar me vështirësi gjatë miratimit të ligjeve që nga koha kur siguroi një mandate të ri përmes ndërtimit të një aleance mes majtistëve e partive rajonale separatist më 2023.
Të martën, kryeministri Sanchez e zemëroi partnerin e koalicionit, grupin politik Sumar, pas zbulimit të një plani për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sumar-i, platformë e partive majtiste që kontrollon pesë ministri dhe që udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja Yolanda Diaz, tha të mërkurën se blerja e municionit është “shkelje flagrante” e marrëveshjes që e ka bërë me socialistët për formimin e koalicionit qeveritar.
“Ne e kërkojmë korrigjimin e menjëhershëm të kësaj kontrate” – thuhet në një deklaratë të këtij grupi politik.
Ministria e Brendshme e Spanjës kishte thënë tetorin e kaluar se do të anulonte një kontratë me vlerë të 6,6 milionë eurove për blerjen e 15 milionë plumbave 9-milimetërsh nga kompania “Guardian LTD Israel”.
Të mërkurën, kjo ministri tha se ishte këshilluar nga avokati shtetëror se prishja e kontratës do ta nënkuptonte pagimin e shumës së plotë pa e pranuar mallin.
Kompania “Guardian LTD Israel” nuk e komentoi menjëherë vendimin.
Deputeti i partisë E Majta e Bashkuar (IU), Enrique Santiago, partia e të cilit është pjesë e grupit Sumar, sugjeroi se ka bazë ligjore që të anulohet kontrata pa e paguar shumën e saj, por se edhe “një shkelje e kontratës prej vetëm rreth gjashtë milionë eurosh do të duartrokitej nga mbarë vendi”.
Kur u pyet nëse partia e tij mund të largohet nga koalicioni qeveritar, ai para gazetarëve tha: “Tani për tani jemi duke i shqyrtuar të gjithë skenarët.”
Para lajmit rreth kontratës për municion, zonja Diaz kishte thënë se grupi i saj nuk pajtohej me rritjen e shpenzimeve në mbrojtje, posaçërisht me një plan për blerjen e më shumë armëve, por se koalicioni ishte në gjendje të mirë dhe se ai do të mbijetonte deri në fund të mandatit legjislativ më 2027./Nacionale