Bjellorusia e përforcon kufirin me Ukrainën pas një incidenti të sigurisë - NACIONALE

Bjellorusia e përforcon kufirin me Ukrainën pas një incidenti të sigurisë

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Bjellorusia do ta përforcojë kufirin e vet me Ukrainën pas një incidenti të sigurisë dhe ka dislokuar një divizion të sistemeve me raketahedhës të shumëfishtë për ta testuar gatishmërinë luftarake të tyre, tha të premten Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë.

Shërbimi kufitar i Bjellorusisë njoftoi më herët të premten se siguria kufitare po përforcohej, duke thënë në një deklaratë se stafi kishte rrëzuar një dron të mërkurën, pasi pajisja e kishte kaluar ilegalisht kufirin nga Ukraina për të mbledhur të dhëna rreth infrastrukturës kufitare bjelloruse, raporton agjencia “Reuters”.

Më herët këtë javë, shërbimi kufitar tha se materiale për një bombë në kushte shtëpie ishin zbuluar të fshehura në zonën e njëjtë dhe se ishte i vetëdijshëm që një njësi e luftëtarëve rusë pro-ukrainas ishte e pranishme në një rajon ukrainas në kufirin me Bjellorusinë.

Ministria e Mbrojtjes më vonë publikoi fotografi të sistemeve raketahedhëse bjelloruse, “Polonez”, të dislokuara përgjatë kufirit, në zona pyjore.

“Trupat i kanë pajisur dhe kamufluar lokacionet e personelit ushtarak dhe pajisjet e tyre në zonën e caktuar dhe janë duke vazhduar që t’i kryejnë detyrat e tyre të synuara” – thuhet në deklaratë.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.

Lajme të ngjashme