Bisedimet mes Izraelit e Sirisë kanë rinisur, raporton një televizion saudit - NACIONALE

Bisedimet mes Izraelit e Sirisë kanë rinisur, raporton një televizion saudit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli dhe Siria e kanë rinisur dialogun për çështje të sigurisë, sipas televizionit saudit “Al-Hadath”, pas përleshjeve vdekjeprurëse sektare dhe sulmeve të ushtrisë izraelite në Damask dhe në provincën jugore siriane Sweida javën e kaluar.

Sipas raportit të televizionit saudit, në këto bisedime po ndërmjetësojnë Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa një delegacion izraelit pritet të udhëtojë së shpejti në Baku të Azerbajxhanit për t’i finalizuar mirëkuptimet me Sirinë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Megjithatë, në raport gjithashtu thuhet se Izraeli tani për tani nuk është zotuar që t’i ndalë sulmet në Siri dhe po kërkon një zonë të demilitarizuar përgjatë kufirit Izrael – Siri, si dhe prani të përhershme izraelite në zonën neutrale përgjatë kufirit.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli.

Izraeli ndërhyri në konfliktin sektar sirian më herët këtë muaj në emër të komunitetit pakicë druze, i cili shihet si pakicë besnike brenda Izraelit dhe shpesh shërben në ushtri.

Siria dhe Izraeli kanë qenë palë kundërshtare në konflikte të Lindjes së Mesme me dekada, përfshirë luftimet e drejtpërdrejta e shpesh të ashpra.

Megjithatë, Bashar al-Assad, diktatori që përkrahej nga Irani, u rrëzua nga pushteti në dhjetor dhe u largua nga vendi, ndërsa pushtetarët e rinj islamistë në Damask janë të etur për të paraqitur një fytyrë më moderne të vendit para Perëndimit./Nacionale

Lajme të ngjashme