Bisedë “e dobishme dhe konstruktive” mes Putinit e emisarit të Trumpit, thotë ndihmësi i Kremlinit
Ish-ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara dhe ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, u ka thënë gazetarëve se biseda mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe Steve Witkoff-it, emisar i presidentit amerikan, Donald Trump, ishte “e dobishme dhe konstruktive”.
Ushakovi tha se Rusia “pranoi disa sinjale nga Trumpi” dhe “dërgoi disa sinjale” si përgjigje, por nuk dha hollësi se për çfarë bëhej fjalë, raporton gazeta “The Guardian”.
Më tej, ndihmësi i Kremlinit tha se Putini e Witkoff-i gjithashtu diskutuan për mundësinë e zhvillimit të “partneritetit strategjik” mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë.
Më herët, emisari amerikan u pa duke ecur nëpër Parkun “Zaryadye” afër Kremlinit me Kirill Dmitrievin, emisar i presidentit rus për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
Ndërkohë, Ministria e Energjisë e Ukrainës than ë një deklaratë se Rusia sulmoi gjatë natës së kaluar një stacion që përdorej si pjesë e një rruge që i lidhte terminalet e gazit natyror të lëngëzuar grek me objektet ukrainase për ruajtjen e gazit përmes gazsjellësit trans-ballkanik.
Në një zhvillim tjetër, raportohet se një burrë është arrestuar në Rusi nën dyshimin për tradhti ndaj vendit, më saktësisht për furnizimin e ShBA-së me sekrete satelitore.
Ai është dërguar në paraburgim, tha të mërkurën një gjykatë në qytetin rus, Kaliningrad. Agjencia “Reuters” tha se i dyshuari u identifikua vetëm përmes një letre. Gjykata tha se ai dikur punonte në një kompani ku prodhohen motorë elektrikë për satelitë hapësinorë.
Thuhet se i dyshuari ishte duke mbledhur të dhëna për teknologjinë e kompanisë në emër të shërbimeve amerikane të inteligjencës nga korriku i vitit 2021 deri në dhjetorin e vitit 2023. Nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me burgim të përjetshëm./Nacionale