Bin Salmani thotë se Arabia Saudite s’do ta lëshojë hapësirën ajrore për veprime ushtarake kundër Iranit - NACIONALE

Bin Salmani thotë se Arabia Saudite s’do ta lëshojë hapësirën ajrore për veprime ushtarake kundër Iranit

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i tha presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, se vendi i tij nuk do të lejojë që hapësira ajrore ose territori saudit të përdoret për veprime ushtarake kundër Iranit, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve, SPA.

Në një bisedë telefonike me Pezeshkianin, princi saudit e riafirmoi mbështetjen e vendit të tij për çfarëdo “përpjekje që do t’i zgjidhte dallimet përmes dialogut” për t’i fuqizuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon, transmeton agjencia “Reuters”.

Më herët, mediat iraniane raportuan se Pezeshkiani i kishte thënë Bin Salmanit se Teherani mirëpret çfarëdo procesi që e parandalon luftën, brenda kornizës së të drejtës ndërkombëtare.

Deklarata e udhëheqësit de fakto të Arabisë Saudite vjen pas një deklarate të ngjashme nga Emiratetet e Bashkuara Arabe, vend që ka thënë se nuk do të lejojë asnjë veprim ushtarak kundër Iranit përmes hapësirës ajrore ose ujërave territoriale të tij.

Paqartësia për veprimet e mundshme ushtarake në Iran ka vazhduar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha javën e kaluar se një “armadë” ishte nisur drejt këtij shteti, por se shpresonte se nuk do të jetë i detyruar që ta përdorë atë.

Paralajmërimi i Trumpit ndaj Teheranit ishte kundër vrasjes së protestuesve ose rifillimit të programit bërthamor, por protestat gjithëkombëtare tashmë janë dobësuar.

Një aeroplanmbajtëse amerikane dhe anije luftarake mbështetëse kanë arritur në Lindjen e Mesme, thanë të hënën dy zyrtarë amerikanë, duke i zgjeruar kapacitetet për mbrojtjen e forcave amerikane ose për veprim të mundshëm ushtarak kundër Iranit./Nacionale

Lajme të ngjashme