Bien shitjet e Teslas në botë, por në Kinë shënojnë rekord të ri pozitiv - NACIONALE

Bien shitjet e Teslas në botë, por në Kinë shënojnë rekord të ri pozitiv

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prodhuesi amerikan i veturave elektrike, “Tesla”, tha të premten se shitjet e saj në Kinë u rritën për 8,8 për qind vitin e kaluar, dhe e arritën shifrën rekorde prej më shumë se 657 mijë automjetesh, performancë e fuqishme në një treg me konkurrencë në vitin kur dërgesat globale vjetore të prodhuesit shënuan rënie për herë të parë.

Shitjet e “Tesla”-s në tregun më të madh të veturave në botë gjithashtu shënuan rritje për 12,8 për qind në dhjetor në krahasim me muajin paraprak, duke e arritur numrin rekord prej 83 mijë veturash, sipas selisë së kompanisë amerikane në Kinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Më 2024, “Tesla” shiti 36,7 për qind të të gjitha veturave në Kinë, që është tregu i dytë më i madh i kompanisë, sipas të dhënave të shitjeve.

Megjithatë, shitjet globale të kompanisë shënuan rënie për 1,1 për qind, duke mos e arritur parashikimin e mëhershëm të shefit Elon Musk për rritje të vogël. Eksportet nga Kina ranë për 24 për qind. Subvencionet e zvogëluara evropiane, ndryshimi i preferencave të amerikanëve drejt automjeteve hibride me çmime më të ulëta dhe konkurrenca më e ashpër globale, sidomos nga prodhuesi kinez BYD ndikuan në rënien e shitjeve.

Në dhjetor, shitjet e veturave “Tesla” të prodhuara në Kinë, përfshirë eksportet në Evropë dhe në tregje të tjera, u tkurrën për 0,4 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë – 93.766 vetura – sipas të dhënave nga Shoqata Kineze e Veturave të Pasagjerëve.

Rekordi pozitiv i shitjeve në Kinë në kohën kur prodhuesi pësoi rënie të shitjeve në tregun global e pasqyron peizazhin e veturave elektrike, përderisa Kina është tregu i vetëm i madh që po përjeton rritje të fuqishme në krahasim me një ngadalësim e madje tkurrje në tregjet e tjera, tha John Zeng, drejtor i parashikimit të tregjeve për Kinën në kompaninë konsultuese me bazë në Londër, “GlobalData”.

Kina përbën 70 për qind të shitjeve të veturave elektrike dhe hibrike në 11 muajt e parë të vitit 2024 dhe mbi 90 për qind e rrijes së shitjeve globale të veturave elektrike dhe hibride gjatë vitit të fundit erdhën nga Kina, sipas të dhënave të industrisë./Nacionale

Lajme të ngjashme