Bien çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare - NACIONALE

Bien çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çmimet e karburanteve shënuan rënie për më shumë se 2 për qind të hënën, duke i zhbërë të gjitha ngritjet e javës së kaluar, pasi planet stimuluese të Kinës dështuan që ta frymëzonin besimin e investitorëve dhe importet e naftës atje shënuan rënie për muajin e pestë radhazi, duke nxitur shqetësim për kërkesën.

Tregjet mbetën të tensionuara edhe për mundësinë për sulme izraelite ndaj infrastrukturës iraniane të naftës, raporton agjencia “Reuters”.

Çmimi për një fuçi të naftës së papërpunuar në bursën “Brent” ra për 2,3 për qind, në 77,20 dollarë, ndërsa në bursën amerikane “West Texas Intermediate” çmimi ra për 2,47 për qind, në 73,69 dollarë për fuçi.

Presionet deflacioniste të Kinës u përkeqësuan në shtator, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të shtunën. Një konferencë për gazetarë në të njëjtën ditë i la investitorët në hamendje për madhësinë e përgjithshme të një pakoje stimuluese për ringjalljen e pasurive të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Indeksi i çmimeve të konsumit në Kinë nuk i përmbushi pritjet muajin e kaluar, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimit ra me ritmin më të shpejtë në gjashtë muaj, për 2,8 për qind më ulët në krahasim me një vit më parë, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave.

Edhe importet e naftës në Kinë në shtator shënuan rënie për 0,6 për qind në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme