Bie qyteza Velyka Novosilka, Ukraina e largon komandantin e frontit lindor - NACIONALE

Bie qyteza Velyka Novosilka, Ukraina e largon komandantin e frontit lindor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e zëvendësoi komandantin e frontit lindor, fushëbeteja më e tensionuar e luftës, pasi forcat ruse kapën një qytezë tjetër strategjike atje.

Gjeneral Brigade Andriy Hnatov u zëvendësua si komandant i fushëbetejës në lindje nga Gjeneral Major Mykhailo Drapatyi, komandanti i përgjithshëm i forcave tokësore, i cili do t’i mbajë edhe detyrat e tij të mëparshme. Hnatovit iu dha një rol për mbikëqyrjen e trajnimeve dhe komunikimeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në adresimin e tij të mbrëmjes të dielën, Zelensky tha se qëllimi është që të fuqizohet komanda e trupave në rajonin e Donetskut. Donetsku, fushëbetejë që nga viti 2014 dhe njëra nga katër provincat që Rusia pretendon se i ka aneksuar gjatë luftës, ka qenë fokusi kryesor i luftimeve për më shumë se një vit.

Komandanti i ri i frontit lindor është figurë e respektuar në ushtri dhe i janë dhënë meritat për ndaljen e një kundërsulmi rus në rajonin verilindor të Kharkivit vitin e kaluar.

Analistët ukrainas vlerësojnë se Rusia kapi rreth tre mijë kilometra katrorë territor vitin e kaluar.

Kur lufta po i afrohet trevjetorit, Ukraina ka mungesë trupash në fushën e betejës dhe ushtarët e saj janë të dërrmuar.

Qeveria është munduar që ta adresojë problemin duke e ulur moshën e mobilizimit nga 27 në 25 vjeç dhe duke futur në fuqi rregulla më të rrepta për ata që e shmangin thirrjen për shërbim ushtarak./Nacionale

Lajme të ngjashme