Bie Qeveria e Holandës, largohet nga koalicioni djathtisti ekstrem Wilders
Udhëheqësi holandez i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, tha të martën se partia e tij PVV do të largohet nga koalicioni qeveritar, duke e rrëzuar Qeverinë djathtiste dhe me gjasë duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Wilders-i tha se partnerët e koalicionit nuk janë të gatshëm që t’i përkrahin idetë e tij për ndaljen e emigrantëve azilkërkues, për ç’gjë kishte kërkuar mbështetje të menjëhershme javën e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Asnjë nënshkrim për planet tona të azilit. PVV-ja largohet nga koalicioni” – shkroi djathtisti ekstrem holandez në rrjetin X.
Vendimi i befasishëm i Wilders-it i jep fund një koalicioni tashmë të brishtë, i cili kishte pasur vështirësi për arritur konsensuse që nga vendosja në pushtet në korrikun e vitit të kaluar.
Tërheqja e PVV-së me gjasë do ta çojë Holandën në zgjedhje të reja pas pak muajve, duke e shtuar paqartësinë politike në ekonominë e pestë më të madhe të eurozonës.
Ky zhvillim me gjasë do të shtyjë edhe një vendim për rritjen e mundshme historike të shpenzimeve të mbrojtjes për t’i përmbushur caqet e reja të NATO-s.
Holanda tani do të mbetet me qeveri në detyrë, kur t’i presë udhëheqësit e vendeve të NATO-s për një samit për të vendosur rreth nivelit të shpenzimeve të mbrojtjes në Hagë më vonë këtë muaj.
Populisti Wilders, i cili njihet edhe për qëndrimet kundër myslimanëve, i fitoi zgjedhjet e fundit në vend, por sondazhet e reja kanë treguar se mbështetja për të ka rënë që nga hyrja në koalicionin qeveritar./Nacionale