Bie popullariteti i Trumpit, amerikanët zhgënjehen me trajtimin e kostos së jetesës - NACIONALE

Bie popullariteti i Trumpit, amerikanët zhgënjehen me trajtimin e kostos së jetesës

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Mbështetja për punën e presidentit amerikan, Donald Trump, shënoi rënie ditëve të fundit, pasi më shumë amerikanë u shprehën të pakënaqur me mënyrën se si miliarderi e ka trajtuar koston e jetesës, sipas një sondazhi nga “Reuters” dhe “Ipsos”.

Sipas sondazhit treditor, i cili u përmbyll të dielën, 40 për qind e amerikanëve janë të kënaqur me performancën e republikanit, në krahasim me 42 për qind gjatë periudhës 15-20 tetor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përqindja e njerëzve që thonë se nuk janë të kënaqur me performancën e presidentit është rritur, nga 52 për qind sa ishte më 16-18 maj, në 57 për qind në sondazhin më të ri.

Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar me premtimin se do ta luftonte rritjen e inflacionit, temë që e kishte dëmtuar paraardhësin Joe Biden. Megjithatë, amerikanët i japin Trumpit nota të ulëta në lidhje me menaxhimin e kostove që bien mbi amvisëritë. 63 për qind e të anketuarve nuk pajtohen me mënyrën se si presidenti e ka trajtuar koston e jetesës, dukshëm më shumë se 58 për qind më herët këtë muaj.

Më tej, rezultatet e sondazhit lënë të kuptohet se amerikanët kanë vetëm shqetësim modest sa i përket mbylljes qeveritare që po vazhdon dhe e cila është e dyta më e gjata në historinë e vendit. 29 për qind thanë se ose nuk mërziteshin, ose u vinte mirë që një gjë e tillë ka ndodhur, ndërsa 20 për qind thanë se ishin të zemëruar. Rreth 50 për qind thanë se ishin të frustruar. Sidoqoftë, shumica e të anketuarve thanë se mbyllja e qeverisë kishte pak ose aspak ndikim në jetën e tyre.

Edhe pse republikanët e kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, demokratët kanë bllokuar projektligje të shpenzimeve në Senat, duke u zotuar se nuk do të heqin dorë nga ky pozicion derisa republikanët të pajtohen për t’ua zgjatur afatin subvencioneve për sigurim shëndetësor, që pritet të skadojnë në fund të këtij viti./Nacionale

Lajme të ngjashme