Bideni thotë se sulmet e ShBA-së s’po i ndalin sulmet e Houthive, por do të vazhdojnë - NACIONALE

Bideni thotë se sulmet e ShBA-së s’po i ndalin sulmet e Houthive, por do të vazhdojnë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat rebele të grupit Houthi të Jemenit kryen një sulm të ri me raketë ndaj një anije në pronësi amerikane të enjten, pasi presidenti i ShBA-së, Joe Biden, tha se sulmet e vendit të tij nuk e kanë parandaluar fushatën e militantëve në Detin e Kuq.

Pentagoni tha se nuk është raportuar për dëme ose persona të lënduar, pasi rebelët hodhën dy raketa drejt anijes “MV Chem Ranger”, raporton televizioni BBC.

Shtëpia e Bardhë tha se forcat amerikane “eliminuan një varg raketash të Houthive” që do të hidheshin drejt Detit të Kuq.

Duke folur pas sulmeve të ShBA-së, Bideni u pyet nga gazetarët në Uashington nëse po funksiononin sulmet kundër caqeve të rebelëve Houthi.

“Mirë, kur ju thoni se a po funksionojnë ato për t’i ndalur Houthit? Jo. A do të vazhdojnë? Po”- tha presidenti amerikan.

Komanda Qendrore e ShBA-së – e cila i mbikëqyr operacionet e ushtrisë amerikane në Lindje të Mesme- tha në një deklaratë se kishte “kryer sulme ndaj dy raketave anti-anije të Houthive që e kishin për qëllim jugun e Detit të Kuq dhe ishin përgatitur për t’u hedhur” të enjten.

Kjo komandë e konfirmoi e dhe sulmin në tentativë ndaj anijes “MV Chem Ranger”. Zyrtarët thanë se dy raketa anti-anije u hodhën ndaj saj, por nuk e goditën.

Një zëdhënës ushtarak në Jemen më herët lëshoi një deklaratë, duke thënë se ka pasur “goditje të drejtpërdrejta” ndaj anijes.

Një anije në pronësi amerikane u godit të mërkurën, disa orë pasi Uashingtoni e ktheu grupin Houthi në listën e atyre që i konsideron si organizata terroriste.

Në një fjalim të ashpër të enjten, udhëheqësi i këtyre rebelëve, Abdul Malik al-Houthi, tha se është “nder i madh të jesh në ballafaqim të drejtpërdrejtë” me Izraelin, ShBA-në dhe Britaninë.

Lajme të ngjashme