Bideni thotë se nuk do të largohet nga gara për president: Unë jam i nominuari
Presidenti amerikan, Joe Biden, punoi për të qetësuar figura të larta të Partisë Demokratike rreth fushatës së tij të mërkurën, pasi në disa raportime u sugjerua se ai ishte duke e shqyrtuar të ardhmen pas debatit katastrofal me rivalin Donald Trump javën e kaluar.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pati një drekë me dyer të mbyllura me nënpresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë pas shtimit të spekulimeve nëse ajo do ta zëvendësonte presidentin si kandidate e partisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, raporton televizioni BBC.
Dy zyrtarët e lartë pastaj zhvilluan një telefonatë me një rreth më të gjerë të zyrtarëve të fushatës, ku Bideni bëri të qartë se do të mbetej në garë dhe zonja Harris e ritheksoi përkrahjen e saj për presidentin. “Unë jam i nominuari i Partisë Demokratike. Askush nuk do të më nxjerrë [nga gara]. Unë nuk do të largohem” – tha ai në telefonatë, i tha një burim televizionit BBC.
Kjo frazë u përsërit në një shkresë elektronike për grumbullim të fondeve, që u dërgua disa orë më vonë nga zyrtarët e fushatës së Bidenit. “Më lejoni ta them këtë sa më qartë dhe sa më thjesht që mundem: Unë do të garoj” – tha Bideni në këtë shkresë, duke shtuar se ai ai është “në garë deri në fund”.
Trysnia ndaj presidentit për t’u tërhequr u shtua disa ditë pas debatit me Trumpin, pasi më shumë sondazhe tregonin se epërsia e rivalit po shtohej. Sipas një ankete të bërë nga gazeta “The New York Times” pas debatit, e cila u publikua të mërkurën, Trumpi e kishte epërsinë më të lartë deri më tani – 6 për qind.
Për më tepër, sipas një sondazhi të televizionit “CBS News”, Trumpi ka epërsi prej 3 për qind ndaj Bidenit në shtetet që cilësohen kyçe në zgjedhjet presidenciale. Sipas kësaj ankete, Trumpi është në epërsi edhe në nivel vendi.
Sikur të mos mjaftonin anketat, disa donatorë dhe ligjvënës demokratë kanë bërë thirrje publikisht që presidenti Biden të tërhiqet nga gara, përfshirë dy kongresistë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët e fushatës së Bidenit i kanë mohuar raportimet se ai është duke e shqyrtuar të ardhmen e vet dhe thonë se presidenti është i përkushtuar për ta mposhtur Trumpin për herë të dytë më 5 nëntor./Nacionale