Bideni thotë se ambicia personale s’mund ta pengonte shpëtimin e demokracisë - NACIONALE

Bideni thotë se ambicia personale s’mund ta pengonte shpëtimin e demokracisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, iu drejtua kombit të mërkurën për ta shpjeguar vendimin e tij historik për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë, duke përçuar një porosi reflektuese e me shpresë për nevojën për nisjen e një kapitulli të ri për vendin.

“Unë besoj se e kaluara ime si president, lidershipi im në botë, vizioni im për të ardhmen e Amerikës, të gjitha merituan një mandat të dytë, por asgjë, asgjë nuk mund t’i dalë në rrugë shpëtimit të demokracisë sonë. Këtu përfshihet ambicia personale” – tha Bideni në Zyrën Ovale, raporton gazeta “The Guardian”.

“Prandaj, unë kam vendosur se rruga më e mirë për ecje përpara është që t’i bartet pishtari një gjenerate të re. Është mënyra më e mirë për ta bashkuar vendin tonë. E dini, është një kohë dhe një vend për vitet e gjata të përvojës në jetën publike. Është gjithashtu një kohë e një vend për zëra të rinj, zëra të freskët – po, zëra më të rinj, e koha dhe vendi janë tani” – shtoi presidenti amerikan.

Fjalimi i tij erdhi tri ditë pasi Bideni e shokoi vendin me njoftimin se do të tërhiqej nga gara për president më pak se katër muaj para ditës së zgjedhjeve. Përderisa foli për trashëgiminë e tij në pesë dekada shërbim publik, politikani veteran u zotua se do ta vazhdonte punën për jetë më të mirë për amerikanët.

Disa republikanë kanë sugjeruar se Bideni duhet të japë dorëheqje e jo ta përfundojë mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë, por presidenti të mërkurën i kundërshtoi prerazi ato thirrje.

“Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, unë do të jem i përqendruar në kryerjen e detyrës sime si president. Kjo nënkupton që unë do të vazhdoj që t’i ul kostot për familjet që punojnë shumë [dhe] ta rris ekonominë tonë. Unë do të vazhdoj që t’i mbroj liritë tona personale dhe të drejtat tona civile – nga e drejta për votë deri të e drejta për të zgjedhur” – deklaroi presidenti Biden.

Ai në mënyrë specifike u zotua për “vazhdimin e punës për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për t’i sjellë në shtëpi të gjitha pengjet dhe për të sjellë paqe e siguri në Lindje të Mesme”. Disa orë para fjalimit të Bidenit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbajti një fjalim përçarës në një seancë të përbashkët të Kongresit të ShBA-së, në të cilën ai bëri thirrje për “fitore të plotë” në luftë.

Lajme të ngjashme