Bideni njofton edhe 2,5 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën - NACIONALE

Bideni njofton edhe 2,5 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të hënën njoftoi 2,5 miliardë dollar asistencë shtesë të sigurisë për Ukrainën, përderisa po i shfrytëzon javët e fundit në pushtet për t’i shtuar ndihmat ushtarake për Kievin para se në krye të Shtëpisë së Bardhë të rikthehet republikani Donald Trump.

“Nën udhëzimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të punojnë në mënyrë të vendosur për ta fuqizuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë gjatë kohës sime të mbetur në zyrë” – tha presidenti Biden në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Njoftimi i Bidenit përfshin 1,25 miliard dollar të tërhequr nga rezervat e ShBA-së dhe 1,22 miliard dollar nga pakoja e Nismës për Asistencën e Sigurisë për Ukrainën, që është pakoja e fundit gjatë mandatit të Bidenit.

Sipas Nismës për Asistencën e Sigurisë për Ukrainën, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose nga partnerët, e nuk tërhiqen nga rezervat amerikane, që do të thotë se mund të nevojiten muaj ose vite që ato të arrijnë në fushën e betejës.

Në një deklaratë, Bideni tha se asistenca e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm të kapaciteteve të cilat ajo vazhdon t’i shfrytëzojë për efekt të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjata të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe sistemeve të tjera kritike të armëve”.

Gjatë fushatës zgjedhore para zgjedhjeve në ShBA, republikani Donald Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së ShBA-së në konfliktin e Ukrainës, duke sugjeruar se aleatët evropianë duhet të ndajnë një pjesë më të madhe të barrës financiare.

Lajme të ngjashme