Bideni i fiton zgjedhjet partiake në Michigan, por ballafaqohet me protestë për Gazën - NACIONALE

Bideni i fiton zgjedhjet partiake në Michigan, por ballafaqohet me protestë për Gazën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është vlerësuar si fitues pa vështirësi i zgjedhjeve paraprake partiake të Partisë Demokratike në Michigan, pavarësisht nga një protestë e konsiderueshme votash për shkak të qëndrimit të tij rreth luftës në Gaza.

Aktivistët kanë kaluar disa javë të fundit duke u bërë thirrje demokratëve që të votojnë si “asnjanës” dhe dhjetëra mijëra vendosën që të vepronin kështu, raporton televizioni BBC.

Kjo tejkaloi shumë pritje, edhe pse parashikimi më i ri i televizionit CBS sugjeron se Bideni fitoi 80 për qind të votave gjithsej.

Në një deklaratë, presidenti i falënderoi banorët e Michigan-it dhe nuk e përmendi fushatën kundër tij. Ai i çmoi arritjet e administratës së vet në këtë shtet dhe e sulmoi verbalisht rivalin republikan, Donald Trump.

Edhe Trumpi parashikohet që t’i fitojë zgjedhjet partiake të Partisë Republikane të së martës në Michigan, pas asaj që ai e quajti “ditë e mrekullueshme”.

Rezultatet e deritanishme të garave brenda partive, të cilat përdoren për përzgjedhjen e kandidatëve të tyre për zgjedhjet presidenciale, tregojnë se Bideni dhe Trumpi janë rrugës për t’u ballafaquar mes vete në zgjedhjet e nëntorit, njësoj si më 2020.

Michigan-i konsiderohet shtet kritik që i ndërron partitë fituese. Sidoqoftë, në dy garat e kaluara, atje fitoi presidenti i tanishëm i ShBA-së. Në këtë shtet ndodhet pjesa më e madhe e komunitetit arabo-amerikan dhe përkrahja e Bidenit për Izraelin gjatë fushatës ushtarake të këtij vendi në enklavën palestineze të Gazës duket se i ka kushtuar me rënie të përkrahjes në publik.

Aktivistët e grupit “Dëgjojeni Michigan-in” e vlerësuan lart numrin e votave si “asnjanëse”, duke e cilësuar si fitore. Disa njerëz nuk i mbajtën lotët në tubimin e organizatës, përderisa rezultatet po plotësoheshin kohë pas kohe.

Kongresisti Andy Levin, i cili e përkrah votën “asnjanëse”, para turmës tha: “Nuk gëzohem që jam këtu sonte. Ky moment është pjellë e nevojës, sepse njerëzit po vdesin me mijëra.”

Lajme të ngjashme