Bideni duket se thotë që ka kancer, Shtëpia e Bardhë e qartëson deklaratën
Shtëpia e Bardhë e qartësoi deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, kur të mërkurën tha se ai ka kancer, duke sqaruar se Bideni po i referohej diagnostikimit me kancer të lëkurës para se të bëhej president, nga i cili tashmë është shëruar.
Duke folur për ndryshimet klimatike në shtetin amerikan, Massachusetts, Bideni e rikujtoi kohën kur është rritur pranë disa rafinerive të naftës në vendlindjen e tij, Delaware, duke thënë se ato janë shkaktare të ndotjes së përhapur në zonë.
“Prandaj unë dhe aq shumë njerëz me të cilët jam rritur kemi kancer dhe prandaj, për kohën më të gjatë, Delaware e kishte shkallën më të lartë të kancerit në vend”, tha presidenti amerikan përderisa po e theksonte nevojën për t’u larguar nga lëndët e djegshme.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, tha se presidenti po u referohej kancereve të lëkurës pa melanomë, që i janë hequr para se të bëhej president.
Në një vlerësim përmbledhës të shëndetit të presidentit, të publikuar në nëntor, thuhej se ai kishte “të hequra disa kancere të lokalizuara pa melanomë” para se të bëhej president, duke shtuar se “nuk ka ndonjë zonë të dyshimtë për kancer të lëkurës në këtë kohë”. Në vlerësim nuk ishte kërkuar bërja e biopsisë.
This is what the President was referring to. https://t.co/8F0NGTei6f
— Andrew Bates (@AndrewJBates46) July 20, 2022
“Kjo është ajo të cilës po i referohej president”, shkroi zëdhënësi Bates në rrjetin “Twitter”./Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli