Biden në Poloni, Rusia 'përfundon' fazën e parë të luftës në Ukrainë - ngjarjet e 25 marsit - NACIONALE

Biden në Poloni, Rusia 'përfundon' fazën e parë të luftës në Ukrainë - ngjarjet e 25 marsit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan Joe Biden u ndal në Poloni të premten për t’u takuar me trupat amerikane, Presidentin Andrzej Duda dhe refugjatët ukrainas, në një përpjekje për të sinjalizuar unitetin perëndimor kundër sulmit të Rusisë.

Kjo vjen pasi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se Ukraina po i shtynte trupat ruse dhe po rifitonte terren pranë Kievit.

Presidenti Joe Biden krahasoi imazhet nga pushtimi rus i Ukrainës me ato që u panë gjatë protestave të famshme të vitit 1989 në sheshin Tiananmen të Pekinit.

Vetëm disa kilometra larg nga vendi se ku ishte Biden, mijëra refugjatë hynin në Poloni, madje Presidenti Joe Biden përshëndeti Poloninë për strehimin e më shumë se 2 milionë refugjatëve që kanë ikur nga pushtimi i Rusisë, më pas ai u takua me ekspertë humanitarë në terren.

“Nuk po ndalet”, tha Biden për shkatërrimin në Ukrainë. ″Është si diçka nga një film fantastiko-shkencor”.

E në anën tjetër fokusi rus në ''çlirimin'' e Donbasit lë të kuptohet për një ndryshim në strategji, Rusia ka pohuar se faza e parë e "operacionit të saj ushtarak" në Ukrainë ishte kryesisht e përfunduar dhe se do të fokusohej në "çlirimin" e plotë të rajonit Donbas të Ukrainës lindore.

Njoftimi i të premtes dukej se tregonte se Rusia mund të jetë duke kaluar në qëllime më të kufizuara pasi u përball me rezistencën e ashpër të Ukrainës në muajin e parë të luftës në Ukrainë.

Duke e parë situatën të përkeqësuar, NATO, G7, BE kanë vendosur t’i rrisin sanksionet për Rusinë, premtojnë ndihmë të re për Ukrainën.

Udhëheqësit perëndimorë premtojnë më shumë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, por premtimet nuk i përmbushin thirrjet e Kievit për një zonë ndalim-fluturimi dhe një embargo ndaj naftës ruse.

Kanadaja dhe Finlanda u zotuan të rrisin furnizimet me armë në Ukrainë, ndërsa udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të dërgojnë pajisje në Ukrainë për ta ndihmuar atë ta mbrojë vetën kundër një sulmi me armë kimike.

Biden lëshoi ​​gjithashtu një paralajmërim të ashpër për Rusinë se çdo sulm i tillë "do të shkaktonte një përgjigje të llojit të njejtë".

Megjithatë Sekretarja amerikane e Thesarit Yellen thotë se sanksionet ndaj Kinës nuk janë të nevojshme për momentin.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen i tha CNBC të premten se ajo nuk sheh arsye për të vendosur sanksione ekonomike kundër Kinës tani pasi SHBA punon për të bllokuar ndihmën për Rusinë.

Kina deri më tani ka refuzuar të denoncojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe zyrtarët amerikanë thonë se Rusia i ka kërkuar ndihmë Pekinit, teksa përpiqet të marrë kontrollin e fqinjit të saj.

Krahas Bashkimit Evropian tani lind pyetja se a po i dobëson Azia Qendrore lidhjet me Rusinë?

Pas deklaratës së papritur pro-ukrainase të Uzbekistanit, analistët thonë se dinamikat tradicionale rajonale mund të ndryshojnë.

“Mënyra se si Azia Qendrore mendon për Rusinë ka ndryshuar. Ndërsa më parë Rusia shihej si një burim stabiliteti, tani duket se prania e saj në një dimension shumë të ndjeshëm të sigurisë është kthyer në një dobësi për stabilitetin rajonal, sovranitetin dhe integritetin territorial”, tha Umarov, një bashkëpunëtor në Qendrën e Moskës Carnegie.

E kundërshtimi ndaj Rusisë po rritet edhe nga vetë rusët, autori rus Akunin deklaron se Putin e sheh Ukrainën si një kërcënim për sundimin e tij.

Ai në një intervistë për Al Jazeera ka thënë se “Arsyeja që Putini ka qenë kaq armiqësor ndaj Ukrainës që nga viti 2014 është shumë e thjeshtë, në fakt. Ai e sheh Ukrainën si një kërcënim për sundimin e tij. Sepse nëse Ukraina – e cila përmbysi qeverinë e saj si rezultat i një revolucioni në dhjetor 2013 – nëse Ukraina demokratike ndonjëherë bëhet një shtet i suksesshëm, do të ishte një tundim i vazhdueshëm për rusët që të ndjekin shembullin, sepse Rusia dhe Ukraina janë shumë afër. Çfarë po ndodh në Ukrainë, rusët e shikojnë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme