Belgjika kërkon nga vendet e tjera garanci për ndarjen e rrezikut, nëse konfiskohen asetet ruse - NACIONALE

Belgjika kërkon nga vendet e tjera garanci për ndarjen e rrezikut, nëse konfiskohen asetet ruse

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, tha të enjten se ka kërkuar nga krerët e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që të ofrojnë garanci se do ta ndanin rrezikun me vendin e tij, nëse asetet e ngrira ruse që po mbahen në Belgjikë do të përdoreshin për të financuar hua për Ukrainën.

Në një samit në Kopenhagë të mërkurën, udhëheqësit e vendeve të BE-së shprehën mbështetje të gjerë për idenë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse në Perëndim për t’i ofruar Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh, por thanë se do ta diskutonin më tej këtë çështje dhe do t’i rregullonin aspektet ligjore të planit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Belgjika, ku ndodhen shumica e aseteve të ngrira, këmbëngul se para se të pajtohet me këtë plan, do t’i nevojiteshin garanci të forta nga Bashkimi Evropian se nuk do të lihej e vetme për t’u ballafaquar me Rusinë, nëse asetet ruse do të duhej të ktheheshin papritmas.

“Nuk ka para falas. Gjithmonë ka pasoja. Unë u shpjegova kolegëve të mi dje se e dua nënshkrimin e tyre ku thuhet: nëse i marrim paratë e Putinit, i përdorim ato, ne të gjithë do të jemi përgjegjës, nëse kjo shkon keq” – tha kryeministri belg para gazetarëve në Kopenhagë.

Përderisa ndihmat ushtarake të financuara nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën po harxhohen dhe shumë qeveri të vendeve të BE-së ballafaqohen me vështirësi fiskale, Komisioni Evropian ka propozuar që BE-ja t’i përdorë fitimet nga letrat me vlerë të ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë për ta mbështetur Kievin më 2026 e 2027.

Kremlini e ka dënuar këtë propozim, duke e cilësuar si “vjedhje të pastër.

“Mos më vendosni këtu në rolin e një djali të keq. Unë kam qenë shumë konstruktiv që nga dita e parë” – tha kryeministri i Belgjikës, duke shtuar se i nevojitet maksimumi i qartësisë ligjore dhe solidaritetit.

Presidentja e Komisionit Evropës, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se ky institucion do ta zhvillojë planin më tej dhe do të sigurohet që shqetësimet e Belgjikës të adresohen.

“Është absolutisht e qartë se Belgjika nuk mund të jetë shteti i vetëm anëtar që e bart rrezikun, rreziku duhet të vihet mbi krahë më të gjerë” – tha ajo./Nacionale

Lajme të ngjashme