Belgjika do të blejë dronë kamikazë mbrojtës për t’iu kundërvënë atyre që po e shqetësojnë
Belgjika do të blejë dronë kamikazë mbrojtës nga një kompani letone, tha Ministria e Mbrojtjes, pas një vargu të rasteve ku u panë dronë të paidentifikuar, të cilët shkaktuan pengesa në aeroporte, baza ushtarake e madje edhe në një central bërthamor.
Zyrtarët belgë kanë thënë se rastet e dronëve të paidentifikuar bartin gjurmë të ndërhyrjes nga Rusia, edhe pse kanë pranuar se nuk kanë dëshmi për një gjë të tillë. Moska e ka mohuar përfshirjen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, tha se kishte nënshkruar një marrëveshje të hënën në Riga me kompaninë “Origin Robotics” të Letonisë për të blerë dronë autonomë, të cilët mund të përdoren për të zbuluar dhe shkatërruar dronë armiqësorë.
“Brenda disa javësh, këta dronë gjithashtu do t’i fuqizojnë kapacitetet tona” – shkroi ai në rrjetin X, ku publikoi një fotografi ku shihej duke mbajtur në duar një dronë në fabrikën e prodhuesit leton.
Today in Latvia I visited Origin Robotics, where they develop drones based on lessons learned from Ukraine. Their innovations show how rapidly modern defence technology evolves.
— Theo Francken (@FranckenTheo) November 17, 2025
In a couple of weeks, we will also have these counterdrones strengthening our capabilities. pic.twitter.com/oeoDcRpGZT
Marrëveshja e Ministrisë së Mbrojtjes është pjesë e një pakoje me vlerë 50 milionë euro kundër dronëve, thuhet në njoftim, pa treguar se sa para nga kjo shumë do të ndahen për kompaninë “Origin Robotics”.
Ministri Francken tha se ai planifikon që të investojë 500 milionë euro mjete publike në një pako shumë më të madhe kundër dronëve, e cila do të përfshinte sisteme të avancuara të radarëve dhe kapacitete të zgjeruara për pengim. Ai nuk tregoi se kur do të kompletohej pakoja.
Kur u pyet për rastet e shfaqjes së dronëve në të kaluarën, Francken tha se Belgjika po vëzhgohet për së afërmi për shkak të aseteve të ngrira ruse që po mbahen pikërisht në këtë shtet.
Bashkimi Evropian ka propozuar që këto asete të përdoren për financimin e Ukrainës. Rusia ka paralajmëruar “kundërpërgjigje të dhimbshme”, nëse një gjë e tillë ndodh./Nacionale