BE-ja vendos sot për ndihma e bisedimet për anëtarësim për Ukrainën - sytë nga Orbani - NACIONALE

BE-ja vendos sot për ndihma e bisedimet për anëtarësim për Ukrainën - sytë nga Orbani

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëse Ukraina do të marrë ndonjë gjë nga samiti i udhëheqësve të BE-së të enjten, ajo do të ketë nevojë për mbështetjen ngurruese të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Ai i ka rezistuar fuqishëm përpjekjes së Kievit për t’u anëtarësuar në BE dhe thirrjeve të Ukrainës për ndihma shtesë, raporton televizioni BBC.

“Ne jemi zëri i logjikës në Evropë”- tha Orbani para deputetëve hungarezë pak para nisjes së samitit të rëndësishëm.

Sipas tij, lufta, korrupsioni, sektori i madh i bujqësisë dhe keqtrajtimi i pakicës hungareze e diskualifikojnë Ukrainën nga anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian.

Në krye të agjendës së samitit që po mbahet në Bruksel janë ftesa simbolike ndaj Ukrainës për t’i nisur bisedimet zyrtare për anëtarësim si dhe zotimi prej 54 miliardë eurosh fonde të BE-së për ta mbështetur ekonominë ukrainase gjatë vitit të ardhshëm, si dhe 24 miliardë euro përkrahje ushtarake.

Ankesat e Hungarisë paraqesin rrezik që një javë të keqe t’ia bëjnë edhe më të rëndë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Vizita e tij në Uashingtoni nuk i siguroi ndihmat prej 61 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara, që janë bllokuar nga ligjvënësit republikanë.

“Nëse nuk ka lajme pozitive [në Bruksel], kjo do të thotë se Putini e përdori veton për këtë vendim”- paralajmëroi ai, duke e akuzuar haptazi Hungarinë për pengimin e ndihmave e hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Budapesti mund t’i bllokojë të gjitha ato që po i kërkon Kievi, pavarësisht nga përkrahja e gjerë për Ukrainën nga kryeqytetet e tjera të BE-së. Kryeministri i ri i Polonisë, Donald Tusk, paralajmëroi se “apatia ndaj Ukrainës është e papranueshme”.

Sidoqoftë, përderisa udhëheqësit e BE-së filluan të mbërrinin në Bruksel të mërkurën vonë, nisën të shfaqeshin disa shenja të kompromisit të mundshëm.

Komisioni Evropian njoftoi për zhbllokimin e rreth 10,2 miliardë eurove prej më shumë se 30 miliardëve si pjesë e fondeve të BE-së për Hungarinë, të cilat ishin ngrirë për shkak të dobësimit të sundimit të ligjit, sipas vlerësimit të BE-së.

Lajme të ngjashme