BE-ja i thotë Izraelit se rinisja e luftimeve në Gaza është e papranueshme - NACIONALE

BE-ja i thotë Izraelit se rinisja e luftimeve në Gaza është e papranueshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, thotë se i ka thënë ministrit të Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar se rinisja e fushatës ushtarake të vendit të tij në Gaza është e papranueshme.

“Dje fola edhe me ministrin e Jashtëm, Sa’ar... Çfarë është duke ndodhur, pse po e bëni këtë? Dua të them, gjithashtu duke ia përçuar mesazhin se kjo është e papranueshme” – tha kryediplomatja e BE-së para gazetarëve në Bruksel.

Zonja Kallas tha se po i referohej në mënyrë specifike “humbjes së jetës së civilëve”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Zyrtarja e lartë evropiane tha se do të udhëtojë për në Egjipt të dielën për ta diskutuar situatën me “Pesëshen Arabe” – Egjiptin, Jordaninë, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – duke shtuar se ka nevojë për shtim të presionit diplomatik ndaj Izraelit.

Sipas komunikatës izraelite rreth telefonatës së të martës, kryediplomati izraelit i tha zonjës Kallas se Izraeli “nuk kishte zgjedhje” tjetër përpos rinisjes së operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, duke theksuar se Izraeli i ka përkrahur propozimet e paraqitura nga emisari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, për mbajtjen në fuqi të armëpushimit e të cilat “Hamasi i ka refuzuar dy herë”.

Ministri izraelit gjithashtu theksoi në bisedë me Kallasin se ushtria izraelite është duke operuar “vetëm kundër Hamasit dhe caqeve terroriste, ndërkohë duke punuar për ta minimizuar dëmin ndaj popullsisë civile”./Nacionale

Lajme të ngjashme