BE-ja e paralajmëron Gjeorgjinë për sanksione, nëse braktiset demokracia - NACIONALE

BE-ja e paralajmëron Gjeorgjinë për sanksione, nëse braktiset demokracia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lidhjet e Gjeorgjisë me Bashkimin Evropian do të dëmtohen dhe ky shtet madje mund të ballafaqohet me sanksione, nëse largohet nga demokracia, paralajmëroi të premten ambasadori i BE-së në Tbilisi.

Pawel Kerczynski tha se Bashkimi Evropian është i përgatitur për të punuar me secilën qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në Gjeorgji, shtet që mban zgjedhje parlamentare më 26 tetor. Megjithatë, ai tha se BE-ja nuk do ta pranojë vendin e Kaukazit Jugor si anëtar, nëse bëhet “shtet me një parti”, pa opozitë politike, raporton agjencia “Reuters”.

“Për momentin, është një mundësi për vendosjen e sanksioneve në të ardhmen, në rast se gjërat vërtet do të shkonin keq me zgjedhjet” – tha Herczynski para gazetarëve në Tbilisi.

Bashkimi Evropian vitin e kaluar ia dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat, fazë e parë drejt anëtarësimit të mundshëm. Megjithatë, marrëdhëniet janë përkeqësuar dukshëm që nga koha kur partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, miratoi një ligj për “agjentë të huaj” në maj, për të cilin kritikët thonë se është dëshmi se vendi po ia kthen shpinën Perëndimit dhe po anon nga Rusia.

Herczynski tha se përfaqësuesit e BE-së nuk kanë zhvilluar takime me Qeverinë e Gjeorgjisë që nga qershori, duke e përmendur atë që e quajti qëndrim “jomiqësor” ndaj Bashkimit Evropian.

Ai tha se pezullimi i dialogut erdhën pas një diskutimi të brendshëm me shtetet anëtare të BE-së se si t’u qaset “narrativave anti-perëndimore e anti-evropiane” të përqafuara nga Qeveria e Gjeorgjisë.

Ambasadori i BE-së tha muajin e kaluar se blloku mund ta shqyrtojë pezullimin e udhëtimit pa viza me Gjeorgjinë, nëse zgjedhjet nuk vlerësohen të lira, të drejta dhe paqësore./Nacionale

Lajme të ngjashme