BE-ja dhe ShBA-ja e shtojnë presionin për arritjen e një armëpushimi në Gaza - NACIONALE

BE-ja dhe ShBA-ja e shtojnë presionin për arritjen e një armëpushimi në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian i kanë tejkaluar dallimet për të bërë thirrje për një “pauzë të menjëhershme humanitare që çon te një armëpushim i qëndrueshëm” në Gaza, disa orë para se ShBA-ja të hedhë për votim një rezolutë në OKB që bën thirrje për armëpushim dhe lirim të pengjeve pa vonesë përballë rrezikut për vdekje nga uria në enklavën palestineze.

Deklarata e BE-së, e lëshuar të enjten vonë në samitin e Brukselit, e shënoi herën e parë që udhëheqësit evropianë janë pajtuar për një deklaratë rreth gjendjes në Lindje të Mesme që nga tetori i vitit të kaluar. Edhe draft-rezoluta e ShBA-së, që pritet të hidhet në votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të premten në mëngjes, pasqyron urgjencë më të madhe në pozicionin e Uashingtonit. Kjo është hera e parë që administrata e presidentit Joe Biden çon përpara gjuhë që bën thirrje për “armëpushim të menjëhershëm”, edhe pse vazhdon që pauzën në luftime ta lidhë me një marrëveshje për lirimin e pengjeve, raporton gazeta “The Guardian”.

Këshilli i Sigurimit do të votojë për draft-rezolutën e Shteteve të Bashkuara në të njëjtën kohë kur kryespiunët e CIA-s amerikane e Mossad-it izraelit, William Burns dhe David Barnea, pritet të arrijnë në Katar të premten me shpresën që të arrihet një marrëveshje “armëpushim për lirim të pengjeve” mes Izraelit dhe Hamasit. Duke folur në Egjipt, kryediplomati amerikan, Antony Blinken, tha se punë e vështirë mbetet për t’u bërë, por shtoi: “Unë vazhdoj që të besoj se është e mundshme [arritja e marrëveshjes].”

Përmes deklaratës së BE-së bëhet thirrje për “lirim të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve” nga Hamasi, por nuk kërkohet që të ndalen operacionet ushtarake izraelite të varura nga një marrëveshje. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në Bruksel se të gjitha 27 vendet e BE-së ishin pajtuar për “një deklaratë të fortë e të unifikuar për Lindjen e Mesme”, e cila përfshin një thirrje për “qasje të plotë dhe të sigurt humanitare në Gaza”.

Në tekstin me tetë paragrafë shprehet shqetësim i thellë për “rrezikun e menjëhershëm për vdekje nga uria, i shkaktuar nga hyrja e pamjaftueshme e ndihmave në Gaza”.

Një diplomat evropian tha se ndryshimi i gjuhës së ShBA-së në draft-rezolutën e saj ndihmoi për hapjen e rrugës drejt një konsensusi të BE-së për deklaratën evropiane.

Në OKB, ambasadori francez, Nicolas de Riviere, tha: “Është koha që të shpëtohen jetë. Numri i viktimave është rreth 32 mijë burra e gra. Duhet të ndalet tani. Për këtë arsye, unë do ta inkurajoj Këshillin e Sigurimit që të ndërmarrë veprime para fundit të javës, para fundjavës.”

Lajme të ngjashme