BE-ja, Britania e Franca e dënojnë deklaratën e ministrit izraelit për vdekjen e palestinezëve nga uria
Bashkimi Evropian, Franca dhe Britania e Madhe e kanë dënuar deklaratën e ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili kishte lënë të kuptohej se mund të jetë “e justifikuar dhe e moralshme” që të lihen njerëzit të vdesin urie në Gaza.
“Askush në botë nuk do të na lejojë ne që të lëmë dy milionë njerëz të vdesin urie, edhe pse kjo mund të jetë e justifikuar dhe e moralshme me qëllim që të lirohen pengjet” – tha para disa ditëve ministri izraelit, duke shkaktuar reagime ndërkombëtare, raporton gazeta “The Guardian”.
Në fjalimin e tij të mbajtur këtë javë, ai kishte thënë se Izraeli “po fut ndihma humanitare [në Gaza], sepse nuk kemi zgjedhje. Jemi në një situatë që kërkon legjitimitet ndërkombëtar për ta zhvilluar këtë luftë.”
Bashkimi Evropian tha se lënia e civilëve të vdesin urie qëllimisht është “krim lufte” dhe se pret që Qeveria e Izraelit “ta distancojë veten pa mëdyshje” nga fjalët e ministrit të së djathtës ekstreme.
Franca gjithashtu e kritikoi ministrin Smotrich, duke thënë se ofrimi i ndihmës humanitare për popullin e Gazës është “detyrim sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare” për Izraelin, pasi ky shtet e kontrollon tërë qasjen në enklavë.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lamy, i bëri thirrje “Qeverisë më të gjerë izraelite që t’i mohojë dhe t’i dënojë” komentet e ministrit të saj.
Gjithashtu të mërkurën, Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se Izraeli duhet t’i hetojë plotësisht akuzat për abuzim seksual të të ndaluarve palestinezë nga ushtarët e këtij vendi.
I pyetur për një video të publikuar nga televizioni izraelit “Channel 12”, ku mësa dukej shfaqeshin ushtarë duke e vendosur një të ndaluar jashtë pamjes së kamerave të vëzhgimit për t’i kryer abuzimet, zëdhënësi Matthew Miller tha se zyrtarët amerikanë e kishin analizuar videon.
“Ne e kemi parë videon dhe raportimet për abuzim seksual të të ndaluarve janë të tmerrshme. Duhet të ketë zero tolerancë për abuzimin seksual, përdhunimin e cilitdo të ndaluar, pikë... Nëse ka të ndaluar që janë sulmuar seksualisht ose që janë përdhunuar, Qeveria e Izraelit, ushtria izraelite duhet t’i hetojnë plotësisht ato veprime” – tha zëdhënësi amerikan.
Të hënën, gazeta “The Guardian” raportoi se intervistat me të burgosurit e liruar tregonin për dhunë, uri ekstreme, poshtërim dhe abuzime të tjera ndaj të burgosurve palestinezë ishin normalizuar në mbarë sistemin izraelit të burgjeve./Nacionale