BE-ja arriti pajtim për afatin 5-vjeçar për fuqizimin e mbrojtjes kundër Rusisë, thotë Tusku - NACIONALE

BE-ja arriti pajtim për afatin 5-vjeçar për fuqizimin e mbrojtjes kundër Rusisë, thotë Tusku

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian tani pajtohen se BE-ja duhet të jetë plotësisht e aftë për ta mbrojtur veten kundër një sulm rus më së largu duke filluar nga viti 2030, pavarësisht nga rezistenca e mëhershme ndaj këtij afati nga disa shtete, tha të premten kryeministri polak, Donald Tusk.

Evropa është duke i rritur shpenzimet në mbrojtje në masë dramatike për shkak të shqetësimit se Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë garantuar sigurinë e kontinentit që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, nuk janë më të interesuara për të bërë një gjë të tillë, duke e zhvendosur vëmendjen drejt Indo-Paqësorit.

Megjithatë, jo të gjitha vendet janë zotuar në mënyrë të barabartë për shpenzime më të larta në mbrojtje, sidomos ato që gjeografikisht ndodhen më larg Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Prapa skenës... kjo trazoi ca emocione. Sidomos në shtetet që shpenzuan pak në mbrojtje tani. Janë disa shtete të mëdha që ende shpenzojnë shumë pak dhe ato nuk duan të shpenzojnë më shumë tani për tani” – tha kryeministri polak në një konferencë për gazetarë.

Spanja, anëtare e NATO-s, shpenzoi 1,28 për qind të prodhimit vendës bruto në mbrojtje më 2024, ndërsa Italia 1,49 për qind, dukshëm më pak se caku i NATO-s prej 2 për qind të prodhimit vendës bruto, pavarësisht nga tri vitet e luftës në Ukrainë dhe presionit të Shteteve të Bashkuara për ta rritur edhe më tej pragun e shpenzimeve të vendeve të aleancës.

“Pozicioni ynë, i ndarë me Danimarkën dhe Suedinë, ishte që sa më shumë që Rusia të ketë epërsi sot, aq më shumë ne duhet të ngutemi. Ne më në fund pranuam, si Këshill Evropian, me këtë zotimin se deri më 2030 Evropa duhet të sigurojë kapacitete të plota mbrojtëse. Deri më 2030, Evropa duhet të jetë dhe do të jetë qartazi më e fortë në aspektin e ushtrisë, armëve dhe teknologjisë se Rusia” – tha kryeministri polak./Nacionale

Lajme të ngjashme