Baza kyçe e forcave ajrore amerikane e mbyll hapësirën ajrore pas vërejtjes së dronëve - NACIONALE

Baza kyçe e forcave ajrore amerikane e mbyll hapësirën ajrore pas vërejtjes së dronëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aktiviteti i dronëve nxiti zyrtarë amerikanë që ta mbyllnin hapësirën ajrore mbi njërën prej bazave më kritike të Forcës Ajrore për gati katër orë të premten vonë dhe të shtunën herët, sipas një zëdhënësi të bazës.

Bob Purtiman, shef i çështjeve publike në Krahun e 88-të të Bazës Ajrore në Bazën “Wright-Patterson” në Ohio, tha se hapësira ajrore mbeti e kufizuar për përafërsisht katër orë nga pjesa e vonë e së premtes deri të shtunën herët, përderisa autoritetet e vëzhguan situatën, raportoi filiali i televizionit CNN, WHIO.

Zëdhënësi Purtiman tha se dronët, të cilëve zyrtarët u referohen si “sisteme të vogla ajrore pa pilotë”, po vëzhgoheshin nga njësitet e bazës. “Deri më tani, udhëheqësia e repartit ka përcaktuar se asnjëra prej depërtimeve nuk ka ndikuar te banorët, objektet ose asetet e bazës” – shtoi ai.

Mbyllja e hapësirës ajrore u raportua së pari nga “The War Zone” të dielën.

Televizioni CNN kërkoi koment nga Forca Ajrore, por nuk mori menjëherë përgjigje.

Rasti në bazën “Wright-Patterson” vjen në vargun e disa rasteve misterioze të vërejtjes së dronëve, kryesisht në pjesën verilindore të vendit, që kanë shkaktuar alarm në mesin e banorëve dhe zyrtarëve lokalë.

Dronë janë vërejtur edhe afër qendrave të tjera ushtarake, përfshirë “Picatinny Arsenal” dhe Stacionin e Armëve Detare “Earle” në New Jersey, si dhe pranë infrastrukturës kritike si rezervuarët.

Aktivitete me dronë afër zonave ushtarake amerikane janë vërejtur edhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Në nëntor, disa baza ajrore britanike që shfrytëzohen nga Forca Ajrore e ShBA-së raportuan për depërtim të dronëve.

Zyrtarët kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë theksuar se nuk ka dëshmi që sugjeron se rastet me dronë paraqesin kërcënim për sigurinë./Nacionale

Lajme të ngjashme