Bastiset piceria në Gjermani që të shiste edhe kokainë, nëse e porosisje numrin 40
Policia ka bastisur një piceri në perëndim të Gjermanisë, për të cilën dyshon se u shërbente klientëve kokainë, kur ata e porosisnin numrin 40 në meny.
Autoritetet ishin njoftuar për këtë skemë në mars nga inspektorët e ushqimit, ndërsa oficerët kundër drogës kishin filluar ta vëzhgonin restorantin, tha të hënën drejtori kundër krimeve, Michael Graf von Moltke, raporton televizioni BBC.
Kur policët shkuan që ta arrestonin menaxherin e picerisë në banesën e tij, thuhet se 36-vjeçari hodhi një qese me drogë nga dritarja, por ajo “ra mu në duart e policëve”, tha policia në Dyseldorf.
Policia gjeti 1,6 kilogram kokainë, 400 gramë kanabis dhe 268 mijë euro para të gatshme në banesën e të dyshuarit.
Menaxheri i restorantit u liria nga policia disa ditë më vonë dhe e rihapi restorantin, duke vazhduar që të shiste pica e drogë.
Hetuesit e shfrytëzuan mundësinë për ta eksploruar zinxhirin furnizues të drogës në piceri, duke çuar në shkatërrimin e një rrethi të drogës në perëndim të Gjermanisë disa javë më vonë.
Rreth 150 oficerë bastisën dy plantacione kanabisi – një në Monchengladbach, në perëndim të Dyseldorfit, ku u gjetën 300 bimë, dhe një tjetër në Solingen, në lindje të qytetit, ku u gjetën 60 bimë.
U bastisën edhe shtëpi e biznese të 12 personave të dyshuar, duke rezultuar në arrestimin e tre njerëzve, përfshirë një 22-vjeçar që dyshohet se ishte udhëheqësi i operacionit të drogës.
Policia gjithashtu gjeti armë, para dhe orë dore të shtrenjta gjatë bastisjeve. Menaxheri i picerisë u arrestuar derisa po mundohej të largohej nga vendi. Ai ndodhet në ndalim.
“Numri 40 ishte njëra nga picat më të shitura” – tha Moltke.
Policia nuk i ka publikuar emrat e të tjerëve që ishin të përfshirë në operacionin e drogës e as çmimin e kombinimit të picës dhe kokainës./Nacionale