Bachega i BBC-së: Vrasja e Haniyeh-ut është zhvillim i rrezikshëm - NACIONALE

Bachega i BBC-së: Vrasja e Haniyeh-ut është zhvillim i rrezikshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vrasja e kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, ku po merrte pjesë në inaugurimin e presidentit të ri iranian, është një zhvillim tjetër domethënës dhe i rrezikshëm që do ta përtërijë frikën për një eskalim të dhunës në Lindje të Mesme, raporton korrespondenti i BBC-së për këtë rajon të botës, Hugo Bachega.

Hamasi thotë se figura e lartë e grupit u sulmua nga Izraeli, por ky shtet nuk e ka komentuar ende ngjarjen, raporton televizioni publik britanik.

Vrasja e Haniyeh-ut erdhi vetëm disa orë pasi Izraeli kreu një sulm në Bejrut, duke e goditur bazën e grupit të fuqishëm libanez, Hezbollah, që mbështetet nga Irani.

Nuk është e qartë se si ky grup – që ka rreth 150 mijë raketa – do të reagojë. Shënjestrimi i një figure të profilit të lartë në bastionin e grupit mund të shihet si provokim i rëndë dhe reagimi është pothuajse i pashmangshëm, raporton Bachega.

Deri më tani, shumica e dhunës mes Izraelit dhe Hezbollahut ka qenë e kufizuar në zona përgjatë kufirit mes Izraelit e Libanit, por ka pasur frikë se luftimet mund të eskalojnë në një konflikt të madh dhe të përfshijnë grupe të mbështetura nga Irani në rajon.

Deri më tani, Izraeli dhe Hezbollahu kanë dhënë shenja se ngurrojnë që të tërhiqen në një luftë të plotë, që do të mund të kishte pasoja katastrofale për Libanin, Izraelin dhe rajonin në tërësi./Nacionale

Lajme të ngjashme