Azerbajxhani mban ditë zie për 38 viktimat e aeroplanit të rrëzuar në Kazakistan - NACIONALE

Azerbajxhani mban ditë zie për 38 viktimat e aeroplanit të rrëzuar në Kazakistan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Azerbajxhani të enjten mbajti ditë zie kombëtare për 38 njerëzit që e humbën jetën nga rrëzimi i një aeroplani në Kazakistan. 29 persona i mbijetuan aksidentit të rëndë.

Pas aksidentit ka pasur shumë spekulime për shkaktarin e rrëzimit të aeroplanit. Mediumi “Euronews” raportoi se rrëzimi i aeroplanit është shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ruse. Rusia ka paralajmëruar kundër “hipotezave”, sipas raportimit të BBC-së.

Të enjten, flamujt kombëtarë u ulën në gjysmështizë në mbarë Azerbajxhanin, trafiku në tërë vendin u ndal në mesditë, ndërsa anijet e trenat lëshuan sinjale në shenjë zie.

Duke folur në një konferencë për gazetarë të mërkurën, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se ishte shumë herët që të spekulohej për arsyet prapa aksidentit, por shtoi se moti e kishte detyruar aeroplanin që ta ndryshonte drejtimin e planifikuar.

Autoriteti rus i aviacionit civil, “Rosaviatsia”, tha se të dhënat preliminare tregojnë se pilotët e ndryshuan drejtimin e fluturimit dhe u nisën për në Aktau të Kazakistanit, pasi një ndeshje me zogj shkaktoi urgjencë në kabinë.

Sipas zyrtarëve kazakë, në aeroplan ndodheshin 42 shtetas azerë, 16 rusë, gjashtë kazakë dhe tre kirgizë. Ministria e Emergjencave e Rusisë të enjten dërgoi nëntë rusë me aeroplan në Moskë për trajtim.

Lajme të ngjashme