Avokatët e kriminelit Mladiq e kërkojnë lirimin e tij: Fundin e jetës e ka afër
Avokatët e kriminelit serb të luftës në Bosnjë, Ratko Mladiq, po presin një vendim nga gjykata e Hagës për kërkesën e tyre që ai të lirohet nga burgu me arsyetimin se është afër fundit të jetës.
Mladiqi, 84 vjeç, ishte dënuar me burgim të përjetshëm më 2017 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftrave në Ish-Jugosllavi mes viteve 1992 e 1995. Dënimi për atë që njihet si “Kasapi i Bosnjës” ishte mbajtur në fuqi edhe në apeli më 2021, raporton televizioni BBC.
Në një kërkesë të hollësishme dorëzuar gjykatës të premten, avokatët e tij thanë se Mladiqi tashmë ka qenë për një kohë të gjatë i shtrirë në shtrat ose në karrocë.
Por ata thanë se ai më pas dyshohet se pësoi sulm gjatë një telefonate me të birin, duke mbetur pothuajse pa aftësinë për të folur.
Avokatët thanë se dy mjekë e kishin vlerësuar si serioze gjendjen e tij dhe “rreziku për vdekje të afërt është i lartë”. Ata bënë thirrje për lirimin e përkohshëm ose të kushtëzuar në një spital ose bujtinë ku flitet serbishtja.
Kjo është formë e tërthortë e kërkesës së avokatëve që Mladiqi të kthehet në vendlindje dhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, ka bërë të qartë se qeveria ku bën pjesë është e përgatitur që t’i ofrojë gjykatës garanci, nëse Mladiqi lirohet.
Ai i kishte komanduar forcat serbe të Bosnjës në vitet e nëntëdhjeta kundër ushtrive boshnjake e kroate të Bosnjës, e kishte rrethuar Sarajevën, ku ndodhi vdekja e mbi 10 mijë njerëzve dhe e kishte kryer masakrimin e 8 mijë burrave e djemve në Srebrenicë.
Mladiqi ishte zhdukur në vitin 1995 dhe u kap vetëm në vitin 2011 në një pjesë rurale në Serbi, pas 16 vjetësh në arrati. Ai doli para gjyqit të Hagës më 2012 dhe u dënua më 2017./Nacionale