Autobusi goditet nga rrëshqitja e dheut, së paku 15 të vdekur në Indi
Së paku 15 njerëz e humbën jetën të martën vonë në Himachal Pradesh të Indisë të martën vonë, pasi rrëshqitja e dheut goditi një autobus, thanë autoritetet lokale.
Autobusi ishte duke lëvizur nëpër një zonë malore afër distriktit Bilaspur, kur rrëshqitja e dheut ndodhi pas disa ditëve me shi të dendur. Në autobus ndodheshin 20 deri në 25 pasagjerë.
Policia tha se në mesin e të vdekurve ishin nëntë burra, katër gra dhe dy fëmijë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Tre fëmijë të lënduar u shpëtuan dhe u dërguan në një spital lokal për trajtim, sipas një deklarate të zyrës së zyrtarit më të lartë rajonal, Sukhvinder Singh Sukhu.
Operacionet e shpëtimit vazhduan të mërkurën në përpjekje për t’i gjetur pasagjerët e zhdukur që besohet se kanë vdekur, tha policia indiane.
Presidentja Draupadi Murmu dhe kryeministri Narendra Modi shprehën ngushëllime pas rrëshqitjes vdekjeprurëse të dheut.
Shiu i dendur këtë vit ka shkaktuar vërshime e rrëshqitje dheu në mbarë Azinë Jugore, ku përfshihen India, Pakistani, Bangladeshi, Butani, Sri-Lanka, Afganistani, Nepali dhe Maldivet.
Në gusht, vërshimet morën me vete një fshat të tërë në shtetin verior indian, Uttarakhand, ndërsa të paktën 44 njerëz vdiqën në Nepalin fqinj gjatë fundjavës për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe vërshimeve të shkaktuara nga shiu i dendur./Nacionale