Australia thotë se një luftanije kineze ka lënduar me pulse zanore zhytës australianë - NACIONALE

Australia thotë se një luftanije kineze ka lënduar me pulse zanore zhytës australianë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Australia i ka akuzuar forcat detare kineze për përdorim të pulseve zanore në ujëra ndërkombëtare, veprim që ka rezultuar në lëndimin e disa zhytësve australianë.

Ministri i Mbrojtjes i Australisë, Richard Marles, tha se një luftanije kineze kishte zgjedhur veprime “të pasigurta e joprofesionale” gjatë incidentit afër Japonisë më herët këtë javë, raporton televizioni BBC.

Luftanija iu afrua një anije australiane, ku zhytësit ishin duke i pastruar rrjetat e peshkimit nga helikat e saj, shtoi ministri, duke thënë se anija kineze më pas lëshoi pulse të rrezikshme zanore.

Marles tha në një deklaratë të publikuar të shtunën se ky veprim paraqiti “rrezik për sigurinë e zhytësve australianë, të cilët u detyruan që të dilnin nga uji”.

Sipas ministrit, zhytësit pësuan lëndime të lehta që me gjasë ishin shkaktuar nga pulset zanore.

“Australia pret që të gjitha shtetet, përfshirë Kinën, t’i drejtojnë ushtritë e tyre në mënyrë profesionale e të sigurt”- thuhet në deklaratën e zyrtarit të lartë Australian.

Fregata australiane “HMAS Toowoomba” e kishte komunikuar synimin e saj për të kryer operacione zhytëse në kanale normale detare dhe duke shfrytëzuar sinjale të njohura ndërkombëtarisht, thuhet më tej.

Incidenti i raportuar ndodhi të martën në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Japonisë. Anija australiane ishte duke kryer operacione në mbështetje të zbatimit të sanksioneve të OKB-së, tha ministri Marles, pa dhënë hollësi.

Sipas Komitetit Këshillëdhënës Mjekësor të Zhytjes, organizatë me seli në Londër, nivelet e larta të zërit nënujor mund t’u shkaktojnë zhytësve marramendje, dëmtim të të dëgjuarit ose lëndime të tjera.

Lajme të ngjashme