Australia njofton 20 milionë dollarë shtesë ndihmë humanitare për Gazën
Australia e ka njoftuar ndarjen e 20 milionë dollarëve shtesë për ndihma humanitare në Gaza, pas presionit në rritje brenda vendit dhe protestave masive pro-palestineze në Sydney, në të cilat u kërkuan shtimi i ndihmave për banorët e Gazës dhe sanksione ndaj Izraelit.
Me pakon e re do të financohen dërgesat ushqimore, furnizimet mjekësore për spitale fushore dhe forma të tjera të përkrahjes jetike, me fokus te gratë dhe fëmijët, tha Ministria e Jashtme e Australisë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Pakoja e re e çon në 130 milionë dollarë asistencën e përgjithshme humanitare për civilët në Gaza dhe Liban që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, sipas të dhënave të qeverisë australiane.
“Vuajtjet dhe vdekja nga uria e civilëve duhet të marrin fund” – tha ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, duke shtuar se “Australia do të vazhdojë që të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, lirimin e pengjeve dhe një zgjidhje me dy shtete”.
“Ne vazhdojmë që t’i bëjnë thirrje Izraelit që ta lejojë qasjen e menjëhershme dhe të papenguar të ndihmave në Gaza” – tha ministrja e Zhvillimit Ndërkombëtar, Anne Aly.
Njoftimi për ndarjen e ndihmave të reja erdhi disa orë pasi dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Sydney në një protestë ku u bë thirrje për armëpushim dhe hyrje të pakufizuar të ndihmave në Gaza./Nacionale