Australia e dëbon ambasadorin e Iranit
Kryeministri australian, Anthony Albanese, e akuzoi të martën Iranin se qëndron prapa sulmeve antisemite me zjarrvënie vitin e kaluar në Australi dhe e dëboi ambasadorin iranian, duke i quajtur veprimet e këtij shteti “akte të rrezikshme të agresionit” që e kanë për qëllim minimin e kohezionit social të vendit të tij.
Albanese njoftoi se Australia gjithashtu i ka tërhequr diplomatët e vet nga Irani dhe do t’i fusë Rojat Revolucionare të këtij shteti në listën e organizatave terroriste. Kjo është hera e parë që Australia dëbon një ambasador që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Para disa ditëve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i dërgoi homologut Australian një letër me kritika, duke e akuzuar se kishte dështuar që të vepronte kundër antisemitizmit në Australi dhe duke i dhënë një afat deri në një festë hebreje muajin e ardhshëm për të marrë masa kundër këtij fenomeni.
Në një konferencë për gazetarë të martën në Canberra, Albanese tha se Organizata Australiane për Inteligjencë të Sigurisë (ASIO) “tani ka grumbulluar inteligjencë të besueshme të mjaftueshme për të arritur te një konkluzion thellësisht shqetësues se qeveria iraniane drejtoi” të paktën dy prej sulmeve që kanë ndodhur rishtazi ndaj komunitetit hebre të Australisë.
Sipas kryeministrit australian, ASIO-ja vlerësoi se Irani me gjasa ka drejtuar edhe sulme të tjera, por ai nuk i zbuloi të dhënat e agjencisë së inteligjencës që tregojnë për një gjë të tillë.
“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme të agresionit të orkestruara nga një vend i huaj në tokën australiane” – tha Albanese.
Në janar, ai kishte thënë se inteligjenca australiane ishte duke hetuar për të marrë vesh nëse Irani kishte paguar disa persona që dyshoheshin se qëndronin prapa sulmeve antisemite që t’i kryenin ato me qëllim të mbjelljes së përplasjeve të brendshme./Nacionale